Shqipëria Postuar më 16 October 2026, 10:59

Protesta, kush paguan dëmet? - Si ndahet fatura midis publikut, sigurimeve dhe bizneseve

Nga Elisabeta Dosku

Protesta, kush paguan dëmet? - Si ndahet fatura midis publikut, sigurimeve

Protesta e dhunshme në Tiranë ka shkaktuar dhe po vijon të shkaktojë dëme në infrastrukturën publike dhe biznese, duke lënë pas një faturë ekonomike të konsiderueshme që ndahet mes disa aktorëve, buxhetit publik, bizneseve private dhe kompanive të sigurimeve. 

Pjesa e parë e faturës lidhet me pronën publike. Dëmtimi i sinjalistikës rrugore, ndriçimit, trotuareve, stacioneve të autobusëve, hapësirave urbane, institucioneve publike,  përkthehet në shpenzime të konsiderueshme për riparime dhe rikthimin e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme. Këto dëme do të mbulohen nga buxheti i Bashkisë Tiranë dhe ai i shtetit dhe vlera e kësaj fature duhet të përcaktohet përmes evidentimit të dëmeve dhe kostove konkrete të riparimit.

Një tjetër pjesë e kostos lidhet me dëmet e drejtpërdrejta që janë shkaktuar ndaj subjektet private, kryesisht në institucione bankare, institucione mikrofinanciare,  dyqane të kompanive celulare, si dhe biznese shërbimesh. 

Ndarja e faturës ekonomike në këtë rast, nuk përfundon domosdoshmërisht te taksapaguesit. Përgjegjësia financiare varet nga natyra e dëmit, pronësia e pasurisë së dëmtuar, mbulimi nga siguracionet dhe mundësitë ligjore për të kërkuar dëmshpërblim nga personat përgjegjës.

Një pjesë e mirë e bizneseve të prekura, kryesisht bankat i kanë të mbuluara dëmet nga kompanitë e sigurimeve, pasi e kanë detyrim ligjor sigurimin ndaj vandalizmave dhe vjedhjeve për shkak të natyrës së biznesit. Ndërsa bizneset e tjera të cilat kane siguracion të thjeshtë të pronës, nuk përfitojnë dëmshpërblim nga sigurimi.

Në këtë rast mund të ketë dhe një mbulim nga buxheti i shtetit, pasi Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u ka bërë apel bizneseve të prekura që të evidentojnë dhe dokumentojnë dëmet e pësuara dhe ti adresojnë pranë Ministrisë në mënyrë që çdo rast të vlerësohet dhe ndiqet me institucionet përgjegjëse.

Në këtë fazë, duke qenë se protesta është ende duke vazhduar, shoqatat e biznesit nuk kanë ende një inventar zyrtar të dëmeve dhe një përllogaritje të kostove dhe është vështirë të përcaktohet vlera totale e faturës ekonomike të protestës. 

Për ta përcaktuar koston e protestës, nevojiten të dhëna të plota nga institucionet përgjegjëse për dëmet në pronën publike, si dhe nga bizneset e prekura. Vetëm pasi këto shpenzime të evidentohen, mund të bëhet një ndarje e qartë mes kostos që mbulohet nga fondet publike, humbjeve të sektorit privat dhe dëmeve për të cilat mund të kërkohet kompensim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat