Shqipëria Postuar më 6 October 2026, 10:35

Legalizohen objektet pa pronësi - Në 7 vjet miratohen 11 mijë vendime, risitë e ligjit të ri 

Nga Elisabeta Dosku

Legalizohen objektet pa pronësi - Në 7 vjet miratohen 11 mijë

Procesi i formalizimit të objekteve të ndërtuara para vitit 1991 ka për qëllim pajisjen me dokumente të rregullta pronësie të banesave dhe objekteve të banimit të ndërtuara para këtij viti, të cilat nuk figurojnë të regjistruara në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme. Ky proces përfshin ndërtesa të realizuara në periudha të ndryshme historike, të cilat kanë mbetur pa titull të formalizuar pronësie apo dokumentacion të plotë ligjor.

Procesi është iniciuar në vitin 2012 dhe është zhvilluar në disa faza institucionale. Fillimisht, zbatimi i tij është kryer nga njësitë e qeverisjes vendore dhe më pas nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës në zbatim të ligjit 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas të dhënave zyrtare nga ASHK, për vitin 2025 numri i vendimeve për miratimin e dokumentit të pronësisë për objektet pa titull pronësie të ndërtuara para datës 10.08.1991, trojet e tyre funksionale dhe oborret në përdorim është 1,746. 

Ndërsa, nga viti 2019 deri në vitin 2025,  pra në një periudhë 7 vjeçare, numri total i vendimeve të dhëna për objektet pa tituj pronësie, trojet e tyre dhe oborret në përdorim rezulton afro 11.010 të tilla. 

Së fundmi qeveria ka miratuar një vendim të ri lidhur me procedurat e kalimit në  pronësi të objekteve që nuk kanë dokumentacionin pronësor, duke i lehtësuar ato. Sipas vendimit drejtoria vendore e ASHK-së kalon pronësinë për sipërfaqen funksionale deri në 300 m2,  pra sipërfaqen nën ndërtesë dhe përreth saj, me kusht që të posedohet efektivisht në terren nga subjekti dhe pa pagesë nëse është tokë shtetërore.

Sipas vendimit, procedura mund të nga ASHK ose edhe me kërkesë të subjektit, i cili në këtë rast duhet ta paraqesë aplikimin on-line nëpërmjet “e-Albania” dhe të shlyejë tarifën e shërbimit për procedurën administrative me vlerë 10 mijë lekë. 

Ky proces synon garantimin e sigurisë juridike të pronësisë për një numër të konsiderueshëm objektesh banimi pa certifikata pronësie, duke kontribuar në formalizimin e pronësisë, përmirësimin e cilësisë dhe saktësisë së regjistrave kadastralë, si dhe në forcimin e stabilitetit dhe transparencës së tregut të pasurive të paluajtshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat