Shqipëria Postuar më 5 October 2026, 18:31

Më pak kontrolle në kufi, Beja: Doganat shqiptare drejt integrimit në BE, po fusim komponentë të IA

Nga Scan TV

Më pak kontrolle në kufi, Beja: Doganat shqiptare drejt integrimit

Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, edhe në fushën e doganave, si dhe zbatimi i sistemeve digjitale doganore të BE në Shqipëri, pritet të shoqërohet me uljen e kontrolleve në kufi dhe rritjen e deklarimit të subjekteve në doganë.  

Në një intervistë për Televizionin Scan, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, u shpreh ndër të tjera se nëpërmjet këtyre sistemeve, Shqipëria do mundet gjithashtu të marrë deklarata eksporti nga Bashkimi Evropian, informacione që nuk jepeshin më parë nga kjo e fundit. Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave në një interviste eskluzive për SCAN TV thotë: “Do të ketë më shumë thjeshtime. Nuk do të ketë aq shumë kontrolle në kufi, do ulet numri i kontrolleve në kufi, por kjo shoqërohet sigurisht me rritjen e cilësisë së shoqërive dhe të deklarimit që shoqëritë tregtare, subjektet kryejnë në doganë. Do të ketë pastaj më shumë informacione. Çfarë do të thotë? Ne aktualisht nuk marrim dot informacione nga vendet e Bashkimit Evropian. Vendet e Bashkimit Evropian e kanë të ndaluar të ndajnë informacione mbi deklaratat që ata bëjnë në mënyrë periodike me ne. Ne sigurisht që i japim informacione atyre. Me ndryshimet e reja që ka pasur në Bashkimin Evropian, po edhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, do na krijohet mundësia për shkëmbimin në kohë reale të informacioneve nëpërmjet këtyre sistemeve që sapo folëm. Pra, deklaratat e eksportit që bëhen në Itali ose në Greqi, që janë dy partnerët tanë kryesorë tregtarë, do mund të merren në kohë reale dhe para mbërritjes së mallit nga dogana shqiptare. Dhe kjo do shmangë maksimalisht edhe tendencën e biznesit për të mos deklaruar atë që është deklaruar tashmë në një vend dalës të Bashkimit Evropian.  Pra, do rrisë aftësinë tonë për të kontrolluar, po edhe sigurisht qasjen e biznesit shqiptar për të qenë më të saktë në mënyrën si do të deklarojnë". 

Digjitalizimi i infrastrukturës doganore është një nga prioritetet e Drejtorisë së Përgjithshme, ndaj këta të fundit po shikojnë mundësinë e integrimit të inteligjencës artificiale për të lehtësuar shumë detyra të administratës. Aktualisht, inteligjenca artificiale po zbatohet për analizën e riskut, ndërsa brenda dy viteve të ardhshme parashikohen të shtohen edhe dy elementë të tjerë, klasifikimi tarifor dhe vlera doganore. “Kemi filluar tashmë me përdorimin e një komponenti të inteligjencës artificiale tek analiza e riskut. Tashmë jemi në gjendje, falë një bashkëpunimi që kemi pasur me Microsoft-in dhe me AKSHI-n, që të përdorim inteligjencën artificiale për analizën e riskut. Për të parë deklarime të ngjashme, për të kuptuar ndërveprimin ndërmjet deklarimeve, për të kuptuar ose edhe kur ka karakteristika të çuditshme në deklarime të caktuara që mund të sinjalizohet që duhet pastaj vëzhguar më me kujdes. Edhe klasifikimi tarifor për shembull do të jetë në gjendje për të vendosur nëse, duke pasur parasysh përshkrimin që kanë mallrat, klasifikimi tarifor i atij malli është vendosur i drejtë apo jo, dhe do të jetë në gjendje për të dhënë sugjerime të caktuara. Kjo do të lehtësojë qoftë agjentin që bën deklarimin, po qoftë edhe administratën doganore për të parë nëse ai deklarim është bërë në rregull apo jo”, u shpreh Beja.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave theksoi se ndër synimet e Administratës është rritja e cilësisë së kompanive shqiptare që kalojnë në kufi pa kontrolle, por nga ana tjetër, dogana shqiptare duhet të ketë aftësinë për t'i kontrolluar me atë që quhet kontroll pasdoganimi. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat