Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet/ Si do të funksionojë skema dhe cilat janë përfitimet?

Qeveria shqiptare ka rikthyer projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Versioni i ri nuk sjell ndryshime të mëdha në thelb, por përmban disa përmirësime në afate, procedura dhe mënyrën e administrimit të skemës. Sipas nismës, të gjitha banesat në Shqipëri do të jenë të detyruara të sigurohen nga tërmetet, me disa përjashtime për ndërtimet prej argjile, qerpiçi, kallami apo ato me karakter të përkohshëm ose të lëvizshëm. Skema e sigurimit do të administrohet nga një ent i posaçëm me kapital shtetëror, i quajtur Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet. Shuma e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa primi i sigurimit që do të paguajnë pronarët e banesave do të caktohet nga Fondi, me pëlqimin e ministrit të Financave.
Kryetarja e shoqatës së siguruesve, Mimoza Hajdarmataj tregon detaje mbi ligjin dhe rolin që kjo shoqatë ka pasur në konsultimin publik.
Projektligji parashikon gjithashtu sanksione për subjektet që nuk zbatojnë detyrimin për sigurim, të cilat nuk do të mund të marrin shërbime kadastrale, shërbime përmes portalit e-Albania apo nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Një ndër ndryshimet e pakta në versionin e ri lidhet me afatet e dëmshpërblimit. Ndërsa në projektligjin fillestar ky afat ishte deri në nëntë muaj, tani parashikohet që pagesa e dëmit të kryhet brenda tre muajve nga momenti i plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm. Rregullat dhe procedurat e hollësishme do të përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave. Një tjetër element i ri është përcaktimi i qartë i rasteve kur një banesë është e siguruar si me kontratë të detyrueshme, ashtu edhe me sigurim vullnetar. Në këtë rast, dëmshpërblimi bëhet fillimisht sipas sigurimit të detyrueshëm, ndërsa pjesa që tejkalon këtë vlerë paguhet sipas kontratës vullnetare.
Parashikohet që agjentët e shitjeve të mos jenë më vetëm një, por disa, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, i cili do të vendosë edhe komisionet dhe kushtet e bashkëpunimit me ta. Kjo hap mundësi për përfshirjen e kompanive private të sigurimeve si agjentë të skemës shtetërore. Sa i përket mbikëqyrjes, roli i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare është më i kufizuar dhe më pak i detajuar se në versionin fillestar. AMF do të ketë përgjegjësi vetëm për mbikëqyrjen e unifikimit të rregulloreve, transparencës ndaj publikut, zbatueshmërisë së kontratave dhe monitorimin e politikave të investimit, si dhe mundësinë për të dhënë rekomandime për përmirësimin e veprimtarisë së Fondit.
Skema shqiptare është ndërtuar duke marrë si model sistemin turk të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet, krijuar me mbështetjen e Bankës Botërore. Megjithatë, ekzistojnë dallime të rëndësishme mes dy vendeve. Në Turqi, detyrimi ligjor për sigurim zbatohet vetëm për banesat urbane dhe nuk përfshin ndërtesat që nuk plotësojnë standardet teknike, ndërsa në Shqipëri, detyrimi përfshin si banesat urbane, ashtu edhe ato rurale. Ndryshe nga Turqia, ku primi përcaktohet në bazë të nivelit të rrezikut sizmik të zonës dhe llojit të ndërtimit, në projektligjin shqiptar nuk është parashikuar ende një ndarje e tillë, çka mund të krijojë një ekspozim më të madh financiar për fondin.
Përvoja e tërmetit të vitit 2019 tregoi nevojën për një mekanizëm të qëndrueshëm sigurimi. Në 11 bashki të vendit u dëmet arritën në 7.5% të PBB-së. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregu i sigurimeve regjistroi mbi 6200 dëme, prej të cilave rreth 93% u shlyen brenda një viti. Vlera totale e dëmshpërblimeve arriti në rreth 40 milionë euro, shumica e të cilave u mbuluan nga risiguruesit. Megjithatë, në raport me dëmet e përgjithshme që arrinin afërsisht në një miliard euro, kontributi i tregut të sigurimeve ishte minimal, për shkak të nivelit të ulët të sigurimit të banesave.
Sipas të dhënave të AMF, gjatë vitit të fundit, primet e sigurimit të pronës nga katastrofat arritën në 2.2 miliardë lekë, ose rreth 22.5 milionë euro. Në mesatare, çdo qytetar shqiptar paguan rreth nëntë euro në vit për sigurimin e pronës, një shifër ende shumë e ulët në raport me nevojat reale. Pjesa më e madhe e këtyre sigurimeve janë faktikisht të detyrueshme nga bankat për kolateralet e kredive. Shoqatat e siguruesve shprehen se vendosja e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet mund të dekurajojë qytetarët nga blerja e sigurimeve vullnetare, duke e kufizuar tregun edhe më shumë.
Shqipëria konsiderohet një ndër vendet më të ekspozuara në Europë ndaj rreziqeve natyrore. Raporti i Rrezikut Botëror 2021 e rendit vendin të parin në kontinent për nivelin e ekspozimit ndaj fatkeqësive natyrore dhe në vendin e 61-të në rang botëror. Sipas Bankës Botërore, humbjet e mundshme nga një fatkeqësi natyrore me periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në 2.1 miliardë euro për tërmetet dhe 1.2 miliardë euro për përmbytjet. Që nga fillimi I viteve 1900 e deri më sot, Shqipëria është goditur nga disa tërmete me magnitudë mbi 6 ballë dhe është në hartën e kuqe sizmike, çka tregon se nevoja për një skemë efektive sigurimi nga katastrofat nuk është vetëm çështje ligjore, por një domosdoshmëri për sigurinë ekonomike dhe sociale të vendit. Megjithatë nuk duhet lënë pas edhe fakti se Shqipëria është goditur edhe nga katastrofa të tjera natyrore, si përmbytjet apo zjarret, për të cilat ekspertët thonë se duhet të përfshihen në ligj.
Stacioni i trenit kthehet në Tiranë/ Akordohen 364 mln lekë në buxhetin e këtij viti, kosto totale 1.8 mld lekë
Rikthimi i stacionit të trenit në Tiranë do të kushtojë 1.8 mld lekë, teksa ndryshimet e buxhetit 2025, përmes Aktit Normativ kanë akorduar një financim prej......
BE-Kinë, mineralet e rralla në fokus/ Palët do të diskutojnë kufizimet kineze të eksporteve javën e ardhshme
Brukseli dhe Pekini do të zhvillojnë bisedime javën e ardhshme mbi kufizimet e fundit të Kinës në eksportet e mineraleve të rralla dhe magnetëve, njoftoi......
Portugalia, “Destinacioni më i Mirë në Evropë”/ Madeira, Porto dhe Lisbona, ndër rajonet më të vlerësuara
Portugalia u shpall “Destinacioni më i Mirë në Evropë” në edicionin e këtij viti të World Travel Awards. Vendi e rimori titullin, që e kishte humbur ndaj......
Rama: Diella “shtatzënë” me 83 fëmijë/ “Secili do të jetë asistent për çdo anëtar të parlamentit tonë”
Nga Berlini ku merr pjesë në Global Dialogue (BGD), forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë, Kryeminsitri......
Investim rreth 95 milionë lekë për automatizimin e HEC "Vau i Dejës" - Hapet gara/ Synim, rritja e efikasitetit të prodhimit të energjisë
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare Tiranë ka shpallur hapjen e garës për implementimin e sistemit të rregullimit automatik për njësitë e reja gjeneruese......
Shqipëria, për herë të parë me një ligj për lobimin/ Rregullohet veprimtaria e personave që duan të ndikojnë në vendimmarrjen publike
Është publikuar për konsultim publik projektligji “Për Lobimin”, një nismë e re që synon të vendosë për herë të parë në Shqipëri rregulla të qarta për......
Si ndryshuan balancat e monedhës europiane kundrejt atyre kombëtare? Shqipëria dhe Polonia me zhvlerësim, ndërsa në Turqi me rritjen më të fortë
Gjatë vitit 2024, monedha e Bashkimit Europian, euro, ka përjetuar luhatje të ndjeshme kundrejt valutave vendase në disa vende të Europës dhe më gjerë.......
''Sfidat e ekonomisë, klimës dhe teknologjisë''/ Rama në Dialogun Global të Berlinit: BE ka sot nevojë për Ballkanin Perëndimor
Zhvillohet në Berlin forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë, me fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes. I pranishëm ishte dhe......




