Analiza Postuar më 25 Tetor 2025, 10:46

Si ndryshuan balancat e monedhës europiane kundrejt atyre kombëtare? Shqipëria dhe Polonia me zhvlerësim, ndërsa në Turqi me rritjen më të fortë

Nga Eldiona Serani

Si ndryshuan balancat e monedhës europiane kundrejt atyre kombëtare?

Gjatë vitit 2024, monedha e Bashkimit Europian, euro, ka përjetuar luhatje të ndjeshme kundrejt valutave vendase në disa vende të Europës dhe më gjerë. Raporti i fundit i Deloitte, ka nxjerrë në pah një panoramë të qartë mbi mënyrën se si euro mesatarisht ka fituar terren në disa tregje, ndërsa në të tjera ka humbur vlerë përballë monedhave kombëtare.

Në disa shtete, euro është zhvlerësuar ndjeshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të llogaritura në euro. Shqipëria është një prej vendeve ku kjo rënie është ndjerë më shumë, me një ulje prej 7.40% gjatë vitit 2024. Një tendencë e ngjashme është vërejtur edhe në Poloni, ku euro humbi 5.21% të vlerës kundrejt zlotit, si dhe në Republikën Çeke me një rënie prej 4.43%.

Megjithatë, tabloja nuk është e njëjtë kudo. Në disa vende, euro ka fituar vlerë kundrejt valutave lokale, duke reflektuar forcim të saj në tregjet ndërkombëtare. Në Rumani, euro është rritur me 0.57%, në Norvegji me 1.81%, në Hungari me 3.47%, ndërsa rritja më e fortë është regjistruar në Turqi, ku euro është forcuar me plot 61.35%, kryesisht si pasojë e inflacionit të lartë dhe të vazhdueshëm që ka prekur ekonominë vendase gjatë vitit.

Ndërkohë, në Bullgari dhe Bosnjë-Hercegovinë kursi i këmbimit ka mbetur i pandryshuar, pasi valutat e këtyre vendeve janë të lidhura drejtpërdrejt me euron. Në vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar (-2.64%), Izraeli (-0.31%), Serbia (-0.14%) dhe Danimarka (-0.11%), euro ka shënuar gjithashtu një rënie të lehtë.

Këto luhatje të kursit të këmbimit janë një komponent i rëndësishëm për analizën e përballueshmërisë ndërkombëtare të çmimeve dhe investimeve, duke reflektuar ndikimin që stabiliteti monetar ka mbi ekonomitë kombëtare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve në kontinent.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat