Shqipëria Postuar më 4 Maj 2026, 12:33

Stacioni hekurudhor i Rinasit - Hapet tenderi për projektimin dhe ndërtimin, fondi limit 91.6 mln lekë

Nga Ola Mitre

Stacioni hekurudhor i Rinasit - Hapet tenderi për projektimin dhe

Hekurudha Shqiptare ka hapur tenderin për hartimin e projektit të detajuar dhe ndërtimin e godinës së stacionit hekurudhor të aeroportit të Rinasit, pjesë e projektit për linjën Tiranë – Durrës – Rinas.

Fondi limit i vënë në dispozicion është rreth 91.6 mln lekë, ndërsa sipas dokumenteve shoqërues ndërtimi i këtij stacioni është i domosdoshëm për përmirësimin e shërbimeve që do t’u ofrohen pasagjerëve dhe për garantimin e një infrastrukture moderne e funksionale.

“Projekti synon të rrisë aksesueshmërinë e transportit publik, të përmirësojë organizimin e zonave të parkimit, aksesin në platformat e pasagjerëve, shtigjet për këmbësorë dhe trotuaret, si edhe të realizojë shtrimin me asfalt të zonave përreth për taksitë, autobusët dhe hapësirat e lënies dhe marrjes së pasagjerëve”, - thuhet ndër të tjera në dokumentet e tenderit.

Aktualisht, për realizimin e linjës hekurudhore janë në zbatim dy kontrata kryesore: një për punimet civile dhe sistemet e sinjalizim-telekomunikacionit, dhe një tjetër për ndërtimin e stacioneve. Sipas të dhënave zyrtare, punimet për infrastrukturën hekurudhore kanë avancuar mbi 90%, ndërsa 8 godinat e stacioneve punimet parashikohet të mbyllen në qershor.

Paralelisht, për këtë projekt është në zhvillim edhe një procedurë me dy faza për elektrifikimin e linjës, e drejtuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa mbetet ende pa u zhvilluar tenderi për rikthimin e stacionit të trenit në Tiranë, një investim i parashikuar me vlerë rreth 1.8 mld lekë.

Autoritetet synojnë që ndërtimi i linjës të përfundojë brenda këtij viti, ndërsa elektrifikimi dhe nisja e operimeve hekurudhore pritet të përmbyllen në tremujorin e parë të vitit 2027.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat