Shqipëria Postuar më 8 Korrik 2025, 10:14

Rriten investimet dhe besimi në arenën ndërkombëtare - Raporti i ALTAX: Shqipëria në trajektore pozitive, por ka edhe sfida

Nga Ernilda Luzi

Rriten investimet dhe besimi në arenën ndërkombëtare -

Shqipëria ka kaluar një nga periudhat më të qëndrueshme politike të dekadës së fundit, me përfaqësim të lartë diplomatik, vlerësime pozitive nga agjencitë ndërkombëtare dhe një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja dhe të numrit të turistëve që kanë vizituar vendin.

Por sipas një analize të publikuar nga ALTAX, ky stabilitet politik i viteve 2021–2025 nuk është përkthyer në zhvillim real, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për qytetarët dhe ekonominë. Në raportin e tij, ALTAX thekson se investimet e huaja direkte në Shqipëri arritën një rekord prej 1.58 miliardë eurosh në vitin 2024. Por pas kësaj rritjeje numerike, qëndron një realitet tjetër. Pjesa më e madhe e kapitalit të huaj është orientuar drejt ndërtimit rezidencial dhe turizmit, sektorë që gjenerojnë fitime të shpejta, por pak vende pune dhe thuajse asnjë efekt afatgjatë në produktivitetin ekonomik.

Ndërkohë, sektori i turizmit ka shënuar gjithashtu shifra rekorde. Më shumë se 11.7 milionë vizitorë u regjistruan vetëm në vitin 2024, duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion gjithnjë e më të njohur në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, edhe këtu përfitimet janë të përqendruara në zonat bregdetare dhe urbane, ndërsa pjesa më e madhe e territorit të vendit mbetet jashtë këtij zhvillimi. ALTAX nënvizon se turizmi në Shqipëri po zhvillohet në mënyrë të fragmentuar, pa një lidhje të fortë me prodhimin vendas, artizanatin apo bujqësinë. Për rrjedhojë, përfitimet ekonomike janë të kufizuara dhe nuk përfshijnë komunitetet e vogla dhe mikro-bizneset.

Një tjetër problem që nënvizon raporti është mungesa e përparimeve të thella në konkurrueshmërinë ekonomike të vendit. Shqipëria, me gjithë perceptimet pozitive ndërkombëtare, vijon të mos tërheqë investime në sektorë të teknologjisë, inovacionit apo prodhimit industrial.

Nga pikëpamja sociale, pabarazitë mes zonave urbane dhe rurale janë thelluar, ndërsa emigrimi i të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar vazhdon të rritet. ALTAX thekson se Shqipëria ka humbur një mundësi të artë për të kapitalizuar momentin politik. Pa reforma të thella në shërbimet publike, në arsim, në drejtësi dhe në klimën e biznesit, ky moment stabiliteti nuk shënon një pikë kthese për zhvillimin e vendit.

Ekspertët rekomandojnë një ndryshim të thellë në prioritetet ekonomike, me fokus te prodhimi vendas, përfshirja e komuniteteve lokale dhe ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme, që shkon përtej numrave dhe perceptimeve ndërkombëtare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat