Shqipëria Postuar më 13 Shkurt 2025, 10:51

Profesionistët e lirë, kur tatohen me 23% të të ardhurave?- Shembulli/ Kush ka më pak se tre klientë quhet i punësuar

Nga Elisabeta Dosku

Profesionistët e lirë, kur tatohen me 23% të të ardhurave?-

Pavarësisht se të vetëpunësuarit nuk tatohen mbi fitimin, për ata që kanë një numër të kufizuar klientësh, norma tatimore mund të shkojë deri 23 %.

Udhëzimi i Financave, ka saktësuar se kur duhet të tatohen profesionistët e lirë, një ndryshim ky i ndërmarrë për të shmangur skemat e devijimeve nga taksat, duke qenë se janë konstatuar raste kur punonjës të  një kompanie, janë shkëputur nga kompania, kanë hapur një nipt dhe ofrojnë shërbime vetëm për të njëjtin biznes, duke mos paguar tatim.

Referuar udhëzimit i cili përfshin deklarimet nga 1 Janari 2025, “nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të  ardhurave të fituara i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave të fituara nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto vjetore të tij (të  ardhura të faturuara minus shpenzimet e  zbritshme të biznesit), do të aplikohen normat e  tatimit mbi të ardhurat nga punësimi të cilat janë 13-23 %  (pas zbritjeve tatimire)

Individi i vetëpunësuar në deklaratën vjetore të  biznesit do t’i deklarojë të ardhurat duke plotësuar  rubrikën e të ardhurave nga punësimi dhe nuk  plotëson rubrikën e të ardhurat nga biznesi. Rregulli zbatohet dhe nëse  i vetëpunësuari ka marrë ndonjë pagesë edhe nga  ndonjë klient jorezident tatimor shqiptar.

Ky rregull zbatohet pavarësisht nëse i  vetëpunësuari ofron shërbime i vetëm apo ka edhe punonjës të papaguar të familjes, apo ka edhe të punësuar.

Duke marrë një shembull konkret:

Llogaritja e të ardhurave nga punësimi bëhet sipas formulës baza e tatueshme = Të ardhura tatimore – (zbritjet tatimore + shpenzimet tatimore)

Pra një individi i vetëpunësuar, i cili ka të ardhura vjetore deri në 10,000,000 lekë,  ka të drejtë të zgjedhë regjimin e veçantë për njohjen e shpenzimeve të zbritshme. Ky shpenzim i zbritshëm apriori është 30% për individët e vetëpunësuar.

Nëse individi ka të ardhura 4 milionë lekë në vit X 30 % zbritje shpenzimesh = 1.2 milionë lekë.  Duke marrë në konsideratë edhe zbritjet e tjera sipas kufirit të të ardhurave prej 360 mijë lekë dhe zbritjet për fëmijët në ngarkim 48 mijë lekë për një fëmijë,  baza  tatueshme zbret në afro 2 milionë e 392 mijë lekë. Në këtë rast tatimi i llogaritur është 13 % deri në nivelin 2 milionë lekë dhe 23 % për shumën mbi këtë nivel. Në total individi duhet të paguajë 346.160 lekë tatim.

 

Formula e tatimit për të vetëpunësuarit me 3 klientë

Baza e tatueshme = 4,000,000 lekë

Shpenzimet e zbritshme 360,000 lekë + 48,000 lekë + 1,200,000 lekë

Baza e tatueshme = 2,392,000 lekë

Tatimi i llogaritur = 13% x 2,040,000 lekë + 23% x 352,000 lekë

Tatimi i llogaritur = 346,160 lekë

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat