Shqipëria Postuar më 13 Shkurt 2025, 10:13

Banka Botërore i jep 120 milionë dollarë Shqipërisë- Mbështetje për reformat. Tre sektorët që përfitojnë

Nga Diamila Leka

Banka Botërore i jep 120 milionë dollarë Shqipërisë-

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi Programin e Dytë të Politikave për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Gjelbër (DPL), me një financim prej 120 milionë dollarë për forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri. Ky është financimi i dytë i një serie prej dy fazash që ndihmon vendin të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe atë mjedisore.

Programi i ri do të mbështesë Shqipërinë në tre fusha kryesore reformash, të cilat synojnë:

Forcimin e hapësirave fiskale, përfshirë përmirësimin e administrimit të taksave dhe raportimit të ndërmarrjeve shtetërore mbi rreziqet e mundshme sociale dhe mjedisore. Zgjerimin  e tregut të energjisë, duke nxitur burimet e rinovueshme dhe rritjen e efiçencës së energjisë. Mbrojtjen e mjedisit dhe uljen e emetimeve të karbonit.

Ky program është në përputhje me Kuadrin e Partneritetit të Vendit për periudhën 2023-2027, cka përforcon angazhimin e Bankës Botërore për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e saj.

“Paketa e reformave që mbështesim përmes këtij programi synon të forcojë perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë. Ky financim do ta ndihmojë vendin të adresojë sfidat kryesore në sektorin e energjisë, si dhe të rrisë aftësinë e qeverisë për të menaxhuar rreziqet fiskale dhe për të mbështetur më mirë shtresat në nevojë të popullsisë”, tha Richard Record, Menaxheri në detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Sipas Bankës Botërore, programi reflekton aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Programin e Reformave Ekonomike 2024-2026 dhe angazhimet ndërkombëtare të vendit për klimën. Masat kryesore përfshijnë forcimin e qëndrueshmërisë fiskale, përmirësimin e sistemit të ndihmës sociale dhe nxitjen e reformave në sektorin e energjisë.

“Kuadri i politikave makroekonomike të Shqipërisë mbetet i qëndrueshëm, i karakterizuar nga deficit fiskali menaxhueshëm, borxh publik në rënie, politikë monetare e qëndrueshme e mbështetur nga masa dhe mbikëqyrje e kujdesshme”, nënvizon Banka Botërore.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat