Shqipëria Postuar më 15 Tetor 2025, 12:13

Çelen mbi 4700 biznese të reja në 3 muaj - 11,461 aplikime online në QKB vetëm në Shtator

Nga Elisabeta Dosku

Çelen mbi 4700 biznese të reja në 3 muaj - 11,461 aplikime

1483 biznese të reja janë hapur vetëm gjatë muajit Shtator në të gjithë vendin, duke ndjekur trendin e dy muajve të kulmit të sezonit turistik.

Të dhënat zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, tregojnë se përgjatë tre muajve Korrik-Shtator janë në total 4785 subjekte të çelura rishtazi.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të disponueshme, u regjistruan 11,461 aplikime online, shifër që tregon interes dhe angazhim të lartë nga sipërmarrësit sa i takon çështjeve të biznesit.  Aplikimet përfshijnë një gamë të gjerë shërbimesh e siç janë aplikime për regjistrime fillestare, ndryshime, pezullime, aktivizime, çregjistrime.

Qendra Kombëtare e Biznesit operon në tre regjistra, secili me kritere dhe procedura specifike. Regjistri Tregtar ka regjistruar 9659 aplikime; Regjistri i Pronarëve Përfitues 841 aplikime dhe Regjistri i Lejeve dhe Licencave 961 aplikime.

Regjistri i Leje/ Licencave dhe Autorizime ka regjistruar 149 licenca të lëshuara në muajin Shtator dhe  28 leje, në rritje në raport me muajin Gusht/

Të dhënat e QKB tregojnë një tendencë të vazhdueshme të digjitalizimit dhe lehtësimit të procedurave për bizneset në Shqipëri.

Në kuadër të reformës së digjitalizimit, bizneset  kryejnë të gjitha shërbimet e nevojshme që marrin nga Qendrën Kombëtare të Biznesit, online nëpërmjet portalit e-albania,  duke shkurtuar kohë, procedura si dhe radhët e pritjes për qytetarët.

Po ashtu, përmes ndryshimeve ligjore të ndërmarra vitin e kaluar,  janë eliminuar  një sërë tarifash për aplikim që paguheshin më parë nga biznesi, siç është tarifa për kryerjen e aplikimit për rezervimin e emrit si dhe është rregulluar mënyra e lëshimit të certifikatës për këtë qëllim. Po ashtu është hequr edhe tarifa për transferimin e emrit tek palët e treta,  si dhe pagesa për kryerjen e aplikimit për korrigjimin e gabimeve.

Ndërkohë që pas lançimit të faqes së re zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, gjatë muajit Shtator u shtuan dhe funksionalitete të reja që e bëjnë ndërveprimin me qytetarët dhe bizneset më të shpejtë dhe më praktik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat