Rajoni Postuar më 15 Tetor 2025, 11:41

Von der Leyen: Mbi 100 mln euro investime në Serbi - Presidenti Vuçiç i kërkon BE-së përjashtim nga tarifat e çelikut

Nga Kristi Ceta

Von der Leyen: Mbi 100 mln euro investime në Serbi - Presidenti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një angazhim strategjik dhe prioritet i politikës së jashtme të vendit, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Presidenti serb u ndal edhe te sfidat në sektorin e energjisë. Ai tha se Industria e Naftës është nën sanksione amerikane, që praktikisht përkthehen edhe në sanksione evropiane. Vuçiç shtoi se i ka dorëzuar von der Leyen një letër ku kërkohet përjashtimi i Serbisë nga taksat doganore dhe kuotat e reja të çelikut. Ai parashikoi një dimër të vështirë në aspektin energjetik, pavarësisht se vendi ka siguruar rezerva të mëdha të naftës dhe gazit.

Megjithatë, Vuçiç vlerësoi rolin e Bashkimit Evropian si partneri më i madh tregtar dhe investitori kryesor në vend. “54.5% e eksporteve nga Ballkani Perëndimor drejt BE-së vijnë nga Serbia, ndërsa 48.5% e eksporteve serbe shkojnë në katër shtete kryesore, si Gjermania, Italia, Rumania dhe Hungaria. Gjithashtu, pesë shtete të Bashkimit Evropian përbëjnë rreth 60% të totalit të investimeve në Serbi,” nënvizoi ai.

Ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Serbia bëri zgjedhjen për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian dy dekada më parë dhe se “tani është momenti i duhur për të përshpejtuar ritmin”. Sipas saj, është i nevojshëm avancimi i reformave në sundimin e ligjit, në fushën e medias dhe legjislacionit zgjedhor, si dhe harmonizimi me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, von der Leyen tha se do të ndërmerren hapa të rëndësishëm për të lidhur Serbinë me tregun energjetik të BE-së, duke përmendur projektet konkrete si Korridori Trans-Ballkanik i Energjisë dhe ndërlidhësi i gazit Serbi–Bullgari.

“Një tjetër përfitim është qasja në tregun e përbashkët. Ky është thelbi i Planit tonë të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ne tashmë kemi vënë në dispozicion mbi 100 milionë euro investime të reja për Serbinë. Po ashtu, ne po punojmë për integrimin e vendit në Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA). Kjo do t'i bëjë transfertat e parave më të shpejta, më të sigurta dhe shumë më të lira,” theksoi von der Leyen.

 

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat