Bota Postuar më 21 Maj 2025, 15:42

Gjiganti i kriptove goditet nga një sulm kibernetik - Ndërhyrja digjitale pritet t’i kushtojë Coinbase 400 milionë USD

Nga Kristi Ceta

Gjiganti i kriptove goditet nga një sulm kibernetik - Ndërhyrja

Kompania e kriptomonedhave Coinbase u godit nga një sulm kibernetik që mund të shkaktojë dëme ekonomike deri në 400 milionë dollarë. Firma po ofron shpërblim prej 20 milionë dollarësh për informacione që çojnë në identifikimin e personave përgjegjës.

Kompania e tretë më e madhe e kriptovalutave në botë u godit nga një sulm kibernetik që pritet t’i kushtojë 400 milionë dollarë në shpenzime rimbursimi.

Sipas mediave të huaja, Coinbase zbuloi se kishte marrë një email kërcënues më 11 maj, ku pretendohej se kishte informacione mbi disa llogari klientësh dhe dokumente të kompanisë. Siç thuhet më tej, hakerat arritën të mbledhin të dhënat sensitive duke paguar disa punonjës dhe kontraktorë jashtë SHBA-së.

Coinbase tha se të gjithë punonjësit e përfshirë janë pushuar nga puna. Hakerat vodhën emrat, emailet dhe adresat e klientëve, por nuk arritën të hynin në informacionet e tyre të hyrjes ose fjalëkalimet, sipas Coinbase.

Kompania planifikon të rimbursojë të gjithë klientët e saj që ranë pre e mashtrimit. Totali vlerësohet të jetë midis 180 milionë dhe 400 milionë dollarë.

Zyrtarët ligjorë të Coinbase njoftuan Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare të zbatimit të ligjit dhe “mirëpresin ndjekjen penale kundër personave përgjegjës”.

Coinbase ka refuzuar të paguajë shumën prej 20 milionë dollarësh që iu kërkua dhe në vend të kësaj po bashkëpunon me agjencitë e zbatimit të ligjit, duke ofruar një shpërblim prej 20 milionë dollarësh për informacion mbi fajtorët.

Kjo ndodhi vetëm disa muaj pasi hakerat e Koresë së Veriut ekzekutuan atë që konsiderohet grabitja më e madhe e kriptovalutave në histori, duke vjedhur 1.5 miliardë dollarë Ethereum nga ByBit.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat