Kosova Postuar më 21 Maj 2025, 13:24

FMN parashikon rritje 4% për Kosovën - Inflacioni pritet të jetë 2.25% në vitin 2025

Nga Kristi Ceta

FMN parashikon rritje 4% për Kosovën - Inflacioni pritet të

Këshilli i Ekzekutivit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi rishikimin e katërt dhe të fundit të Marrëveshjeve të Stand-By dhe të Shpërblimit të Qëndrueshmërisë për Kosovën.

Sipas FMN-së, pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja ekonomike në Kosovë pritet të mbetet në 4 për qind në vitin 2025. Po ashtu Fondi njofton se gjatë vitit 2025, inflacioni do të jetë 2.25 për qind.

“Kosova ka shënuar një performancë të fortë ekonomike, me rritje prej 4.4% në vitin 2024, kryesisht për shkak të konsumit të familjeve dhe kredive private. Inflacioni ka rënë në 1.6% nga 4.9% në vitin 2022. Deficiti i llogarisë së jashtme është zgjeruar në 9% të PBB-së, pasi rritja e konsumit dhe investimeve çoi në zgjerimin e importeve. Pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja pritet të mbetet në 4% në vitin 2025, me inflacionin që stabilizohet në 2.25%”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se programet e implementuara kanë arritur të gjitha kriteret e performancës dhe objektivat për fundvitin 2024, duke përfshirë masat strukturore si krijimi i një funksioni për parashikimin e cash-it në Ministrinë e Financave dhe zhvillimin e një plani për vlerësimin e riskut në sektorin bankar.

Sipas Fondit, “Kosova ka përmirësuar mbledhjen e të ardhurave dhe menaxhimin e investimeve publike, duke rritur transparencën fiskale dhe përmirësuar menaxhimin e riskut fiskal. Reforma të rëndësishme janë bërë dhe në sektorin financiar, duke përmirësuar qeverisjen dhe forcimin e kapitalizimit dhe likuiditetit të bankave”.

“Kjo ecuri pozitive ka mbështetur agjendën e autoriteteve për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe përmbushjen e objektivave të klimës dhe energjisë, me fokus te burimet e rinovueshme dhe bashkëpunimin rajonal”, thuhet në njoftim.

Për sa i përket sferës politike, ditën e mërkurë ka dështuar për herë të nëntëmbëdhjetë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kjo zvarritje e procesit mund të sjellë pasoja negative në stabilitetin institucional dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat