Shqipëria Postuar më 21 Maj 2025, 12:43

Turizmi rrit importet e mallrave të akcizës, por jo të cigareve - Sa karburant dhe pije alkolike u konsumuan në 4 muaj?

Nga SCAN TV

Turizmi rrit importet e mallrave të akcizës, por jo të cigareve -

Importi dhe konsumi i mallrave të akcizës ka pësuar rritje të konsiderueshme në 4 muajt e parë të vitit.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, deri në muajin Prill 2025 janë zhdoganuar dhe kanë shkuar për konsum nga afro 219.4 mijë ton karburant. Krahasuar me janar-prill 2024,  importet e këtij produkti kanë kapërcyer me 28.4 mijë tonë.

Rritja e konsumit të karburanteve, si një nga produktet kryesore që ndikon në zinxhirin ekonomik të mallrave dhe shërbimeve, sinjalizon rritje të kërkesës së brendshme dhe rritje ekonomike.

Po ashtu, sinjalizon edhe nisjen e një viti të mbarë turistik dhe më shumë shpenzime nga ana e qytetarëve shqiptarë. Një nga arsyet është edhe rënia e çmimit të naftës në treg, e cila aktualisht tregtohet mesatarisht me një çmim 175 lekë për litër, çka i bën qytetarët të lëvizin më shumë përgjatë fundjavave dhe të shfrytëzojnë pushimet afatshkurtra. Po ashtu shtrirja e sezonit turistik përgjatë gjithë vitit, ku nuk kemi vetëm turistë të interesuar për zonat bregdetare, por edhe për të vizituar qytete turistike të vendit, dhe pjesë e mirë vijnë me automjete personale apo marrin makina me qira, ka bërë që të rritet ndjeshëm konsumi.

Po ashtu, rritje të ndjeshme ka pasur dhe importi i birrës, ku duket se strukturat akomoduese po bëhen gati të presin më shumë turistë. Në 4 mujorin e parë 2025 janë importuar 14.1 mijë ton birrë, nga 12.9 mijë ton të importuara në janar-prill 2024.

Por përpos rolit që luan turizmi në importin e këtij produkti, blerja e sasive të konsiderueshme nga jashtë është favorizuar edhe nga unifikimi i akcizës për prodhimin vendas, ka sjellë disavantazh për fabrikat që operojnë në Shqipëri të cilat po përballen me kosto të larta dhe vështirësi të shumta, por nga ana tjetër ka krijuar më shumë terren për importuesit. 

Importi i kafesë po ashtu ka ardhur në rritje, ku në 4-mujorin e parë të vitit janë importuar 2954 ton,  me një rritje prej 615 ton në raport me një vit më parë.

Ndërsa importi i cigares ka pasur një rënie me 164 ton,  ku në tre muaj janë importuar 731 ton nga 895 ton në janar-prill 2024.

Të ardhurat nga akciza për periudhën janar-mars 2025 u regjistruan në 20 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 3 miliardë lekë ose 12.7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, si dhe realizim 1.1 miliardë lekë ose 6% më shumë se plani i akcizës për periudhën Janar – Prill 2025.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat