Bota Postuar më 23 Tetor 2023, 15:56

“Kursime nga pak”, trendi i ri i të rinjve - “Gjenerata Z”, një brez që po vendos eksperiencat përpara parave

Nga SCAN TV
“Kursime nga pak”, trendi i ri i të rinjve - “Gjenerata

Për shumicën e njerëzve, qëllimi i tyre është të punojnë shumë, të kursejnë para dhe të dalin në pension herët. Por një trend i ri i “kursimit të butë” “apo kursimit nga pak” po merr gjithmonë e më shumë vëmendje mes punëtorëve të rinj, duke sfiduar mënyrën tradicionale të të menduarit. “Kursimi nga pak” i referohet një sasie më të vogël parash që janë të destinuara për të ardhmen dhe përdorimit të më shumë parave në të tashmen. Gjenerata Z - një brez që vendos eksperiencat përpara parave - po udhëheq të ashtuquajturën valë të “kursimit të butë”, sipas Studimit të Indeksit të Prosperitetit nga Intuit. “Kursimi i butë është përgjigja e jetës së qetë ndaj financave”, thuhet në raport.

Një “jete e qetë” është një mënyrë jetese që përfshin rehati dhe stres të ulët, duke i dhënë përparësi rritjes personale dhe mirëqenies mendore. Raporti zbuloi se qasja ndaj investimeve dhe financave personale nga Gjenerata Z, që janë të rinjtë e lindur pas vitit 1997, ishte më pak agresive krahasuar me të lindurit në dekadat e mëparashme. Kjo do të thotë se investitorët e rinj priren t'i investojnë paratë në kauza që pasqyrojnë pikëpamjet e tyre personale.

Gjithashtu, ata kërkojnë lidhje emocionale me markat dhe profesionistët me të cilët zgjedhin të angazhohen. Por, a do të thotë kjo që njerëzit po kursejnë më pak? Punëtorët e rinj kanë një dëshirë për t'u çliruar nga kufizimet financiare. Tre në katër të rinj të Gjeneratës Z do të preferonin një cilësi më të mirë jetese sesa para shtesë në bankat e tyre, tregon raporti Intuit.

Në fakt, edhe normat e kursimeve personale mes amerikanëve sot duket se pasqyrojnë trendin e kursimeve të buta. Sipas Zyrës së Analizave Ekonomike në SHBA, amerikanët po kursejnë më pak në vitin 2023. Shkalla e kursimit personal - pjesa e të ardhurave të disponueshme që caktohet për kursime - ishte 3.9% në gusht, krahasuar me mesataren 8.51% në dekadën e kaluar, sipas të dhënave nga Trading Economics, që analizon shifrat që nga viti 1959.

Një ndër arsyet kryesore për rënien e kursimeve personale është rimëkëmbja nga pandemia e Covid-19. Njerëzit shpenzuan ndjeshëm më pak, gjatë pandemisë së 3 viteve të fundit, ndërsa ka të ngjarë të shpenzojnë më shumë tani, për të fituar kohën e humbur. Për më tepër, inflacioni e bën më të vështirë për njerëzit që të mbulojnë shpenzimet ose të kursejnë.

Rënia e normave të kursimeve personale reflekton gjithashtu një ndryshim në qëllimet financiare midis punëtorëve sot. Ndërsa të rinjtë hyjnë në fuqinë punëtore, ata sjellin prioritete të reja financiare dhe kanë më shumë gjasa të përqafojnë një ekuilibër midis “ngutjes” tradicionale për të kursyer çdo qindarkë dhe shpenzimit të të ardhurave për të shijuar jetën tani.

Dalja në pension është finalja e madhe për shumicën e punëtorëve. Megjithatë, më shumë janë të shqetësuar se mund të mos jenë në gjendje të dalin fare në pension. Një raport i Blackrock tregon se në vitin 2023, vetëm 53% e punëtorëve besojnë se janë në rrugën e duhur për të dalë në pension me stilin e jetesës që duan. Mungesa e të ardhurave nga pensioni, shqetësimet për paqëndrueshmërinë e tregut dhe inflacioni i lartë ishin disa nga arsyet e përmendura për mungesën e besimit për daljen në pension.

Edhe punëtorët më të rinj ndajnë të njëjtin mendim, pasi dy në tre të Gjeneratës Z nuk janë të sigurt nëse do të kenë ndonjëherë para të mjaftueshme për të dalë në pension. Megjithatë, kjo frikë mund të mos jetë aq shqetësuese për brezin e ri, pasi shumica në të vërtetë po kërkojnë të dalin në pension para kohe - ose të mos dalin fare në pension, tregoi raporti i Intuit. Për më tepër, Qendra Transamerikane për Studimet e Pensionit zbuloi se pothuajse gjysma e popullsisë së punës ose pret të punojë mbi moshën 65 vjeç, ose nuk ka plane për të dalë në pension.

Rreth 41% e Gjeneratës Z dhe 44% e milenialëve - ata që janë aktualisht midis 27 dhe 42 vjeç - kanë më shumë gjasa të dëshirojnë të bëjnë një formë të punës së paguar gjatë daljes në pension. Kjo lidhjet edhe me idenë e të jetuarit të jetës tani. Rreth 47% e milenialëve dhe 40% e Gjeneratës Z shprehën nevojën për të pasur para për të ndjekur pasionin ose hobin e tyre, krahasuar me vetëm 32% të Gjeneratës X, që kanë lindur mes vitit 1965 dhe 1980 dhe 20% të “Baby Boomers”, që kanë lindur nga viti 1946 deri në 1964.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat