Bota Postuar më 17 Tetor 2024, 13:55

“Kërkesa për lëndë djegëse fosile, kulmi në 2030” - IEA: Pritet rritje e investimeve për energjinë e pastër, ulje e çmimit të naftës

Nga SCAN TV
“Kërkesa për lëndë djegëse fosile, kulmi në

Kristi Ceta/SCAN

 

Bota është në prag të një epoke të re të energjisë elektrike me kërkesën për lëndë djegëse fosile që do të arrijë kulmin deri në fund të dekadës, që do të thotë se furnizimet e tepërta të naftës dhe gazit mund të nxisin investimet në energjinë e gjelbër, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Kjo agjenci gjithashtu shënoi një nivel të lartë pasigurie, për shkak të konflikteve që përfshijnë Lindjen e Mesme dhe Rusinë prodhuese të naftës dhe gazit. Po ashtu, vendet që përfaqësojnë gjysmën e kërkesës globale për energji kanë zgjedhje në 2024.

Furnizimet e tepërta të karburanteve fosile priten të çojnë në çmime më të ulëta dhe mund t'u mundësojnë vendeve të përkushtohën më shumë për burime të energjisë së pastër, duke e çuar botën në një "epokë të energjisë elektrike", sipas drejtorit ekzekutiv të Agjencisë.

Një nivel rekord i lartë i energjisë së pastër u shfaq globalisht vitin e kaluar, duke përfshirë më shumë se 560 gigavat (GW) kapacitet të energjisë së rinovueshme. Rreth 2 trilionë dollarë pritet të investohen në energjinë e pastër në vitin 2024, pothuajse dyfishi i shumës së investuar në lëndët djegëse fosile.

Bazuar në politikat aktuale të qeverisë, kërkesa globale për naftë pritet të arrijë kulmin përpara vitit 2030 në vetëm më pak se 102 milionë fuçi/ditë, dhe më pas bie në nivelet e vitit 2023 prej 99 milionë fuçi/ditë deri në vitin 2035, kryesisht për shkak të kërkesës më të ulët nga sektori i transportit, me rritjen e përdorimit të automjeteve elektrike.

Raporti gjithashtu parashtron ndikimin e mundshëm në çmimet e ardhshme të naftës nëse zbatohen politika më të rrepta mjedisore globalisht për të luftuar ndryshimet klimatike. Në skenarin aktual të politikave të Agjencisë së Energjisë, çmimet e naftës bien në 75 dollarë për fuçi në vitin 2050 nga 82 dollarë për fuçi në vitin 2023.

Kjo krahasohet me 25 dollarë për fuçi në vitin 2050, që do të ndodhë nëse veprimet e qeverive bien në përputhje me qëllimin për të çuar në zero emetimet e sektorit të energjisë deri atëherë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat