Shqipëria Postuar më 10 Maj 2024, 15:29

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme shtohet me 982 mln lekë - Që prej vitit 2018 u arkëtuan nga bankat tregtare rreth 5.5 mld lekë

Nga SCAN TV
Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme shtohet me 982 mln

Që prej krijimit të tij në vitin 2018, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme ka arritur në vlerën 5.5 miliardë lekë si rezultat i kontributeve vjetore të bankave të mbledhura në shtatë vite. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u shtua me 982 milionë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave në 30 prill 2024.

Ky fond u krijua para 7 vitesh, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë. Brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi e ligjit për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në bankat e Shqipërisë, fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0.5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritura si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në vendin tonë.

Me qëllim shmangien e përdorimit të parave publike në rast krizash financiare të sektorit bankar, përdoret ky fond i dedikuar për të ndihmuar, rimëkëmbur dhe ristrukturuar bankat në vështirësi.

Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 8,5 miliardë lekë brenda datës 11 korrik të vitit 2027. Për të përmbushur nivelin e synuar të fondit, sektori bankar paguan çdo vit një kontribut vjetor, në përpjesëtim me vitet që mbeten deri në 2027.

Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve; kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat