Shqipëria Postuar më 10 Maj 2024, 12:41

Identifikim elektronik për leje pune në Rajon - Nxitja e tregut të përbashkët të punës në Ballkanin Perëndimor

Nga SCAN TV
Identifikim elektronik për leje pune në Rajon - Nxitja e tregut

Për të punuar në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, shtetasit shqiptarë duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike për leje pune në një nga këto vende. Ka hyrë në fuqi protokolli për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të shtetasve të këtyre vendeve, i cili rregullon kushtet për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar midis kryeministrit Edi Rama, Aleksandar Vučić dhe Zoran Zaev në samitin e nismës së Ballkanit të Hapur të mbajtur në Tiranë më 21 dhjetor 2021, për të mundësuar qasje të lirë në tregun e përbashkët të punës.

Qytetarët e të tre vendeve mund të lëvizin, banojnë dhe punojnë lirisht brenda këtyre territoreve në përputhje me marrëveshjen. Por cilat janë procedurat që duhen ndjekur për të fituar të drejtën e punës?

Kjo e drejtë ushtrohet nëpërmjet një platforme të përbashkët regjistrimi, përmes së cilës të interesuarit mund të aplikojnë për lejen e nevojshme. Konkretisht, qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët dëshirojnë të punojnë në një prej shteteve që kanë qenë anëtare të Ballkanit të Hapur, regjistrohen në mënyrë elektronike duke plotësuar formularin në portalet kombëtare qeveritare dhe bashkëngjitur një dokument të vlefshëm biometrik. Bazuar në të dhënat e paraqitura, gjenerohet një numër unik identifikimi i Ballkanit të Hapur dhe pas kësaj merret një certifikatë elektronike ID që përmban të dhëna personale.

Kërkesa për leje depozitohet përpara ose pas hyrjes në territorin e vendit pritës, por jo më vonë se 90 ditë nga data e hyrjes. Pas marrjes së lejes, i interesuari mund të punësohet në vendin pritës në të njëjtat kushte si shtetasit e tij, për një periudhë deri në dy vjet, me mundësi zgjatjeje të lejes nëse plotësohen kushtet e përcaktuara.

Në rast se nuk miratohet kërkesa për akses të lirë në tregun e punës, do të zbatohet legjislacioni i brendshëm i vendit pritës, pra rregullat për lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve. Pajisja me një numër unik identifikimi të Ballkanit të Hapur për marrjen e lejes së punës, do të shmangë pritjet, kostot administrative dhe pengesat e tjera institucionale.

Një treg i përbashkët rajonal është më tërheqës për investitorët e huaj, pavarësisht nëse është një investim i ri në Serbi, Maqedoninë e Veriut apo Shqipëri, sepse punëtorët mund të rekrutohen nga i gjithë rajoni. Kjo nismë synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe punësimit në këto tre vende të Ballkanit Perëndimor.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat