Analiza Postuar më 24 Gusht 2026, 11:32

Pse e duan të huajt Shqipërinë? Mbi gjysma e lejeve, për punësim. India dhe Filipinet me rritjen më të fortë

Nga Xhorxhina Deda

Pse e duan të huajt Shqipërinë? Mbi gjysma e lejeve, për

Numri i të huajve që jetojnë me leje qëndrimi në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, i nxitur kryesisht nga ardhja për punë dhe nga shtetasit e vendeve aziatike.

Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2025 në Shqipëri rezultonin 32,163 të huaj me leje qëndrimi, ose 46.6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2024 numri i tyre ishte rreth 21.9 mijë.

Të dhënat tregojnë se prania e të huajve në vend është rritur me ritme të shpejta gjatë viteve të fundit. Grafiku i INSTAT tregon se numri i tyre ishte rreth 14.9 mijë në vitin 2021, u rrit në 18.2 mijë në 2022 dhe 21.5 mijë në 2023, për të arritur në 32.2 mijë në fund të vitit të kaluar.

Azia shënon rritjen më të fortë

Edhe pse shtetasit nga vendet europiane vijojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të të huajve me leje qëndrimi, struktura po ndryshon me shpejtësi.

Në vitin 2025, 17 mijë persona, ose 52.9% e totalit, ishin nga Europa, me një rritje prej 18.5% krahasuar me vitin e mëparshëm. Ndërkohë, numri i të huajve nga Azia arriti në 9,891 persona, duke shënuar një rritje shumë më të fortë, prej 117.6% brenda një viti. Të huajt nga Amerika, Afrika dhe Oqeania arritën në 5,250 persona, me rritje 73.4%.

Sipas shtetësisë, Kosova vazhdon të ketë numrin më të lartë të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri, me 6,284 persona, ose 19.5% të totalit. Pas saj renditet Italia me 4,065 persona, që përbëjnë 12.6%.

Por rritjet më të forta vijnë nga tregjet e reja të punës. India renditet e treta me 2,886 persona, ose 9% të totalit, ndërsa Filipinet me 2,401 persona, ose 7.5%. Krahasuar me vitin 2024, numri i shtetasve filipinas me leje qëndrimi u rrit me 136.1%, ndërsa ai i shtetasve indianë me 87.6%.

Mbi gjysma e lejeve lidhen me punësimin

Arsyeja kryesore për qëndrimin e të huajve në Shqipëri është punësimi, i cili përbën 55.1% të lejeve të qëndrimit. Bashkimi familjar zë 19.8% të rasteve, 14.1% lidhen me arsye të tjera, 7.9% me qëllime humanitare dhe vetëm 3.1% me studimet. Edhe aplikimet e reja sinjalizojnë se rritja mund të vijojë. Gjatë vitit 2025, numri i aplikimeve për leje qëndrimi u rrit me 43.5% krahasuar me 2024. Vetëm shtetasit nga India dhe Filipinet përbënin 26.6% të të gjitha aplikimeve.

Struktura gjinore mbetet e dominuar nga meshkujt. Ata përbëjnë 65% të të huajve me leje qëndrimi, ndërsa femrat 35%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat