Shqipëria Postuar më 10 Shtator 2026, 14:37

Strehimi 2.0, ndryshon politika e banesave - Qeveria synon të zgjerojë mbështetjen për familjet në nevojë dhe çiftet e reja

Nga Edel Strazimiri

Strehimi 2.0, ndryshon politika e banesave - Qeveria synon të zgjerojë

Qeveria po përgatit një ndryshim të rëndësishëm në politikën e strehimit, duke kaluar nga një model i fokusuar kryesisht te familjet në nevojë drejt një sistemi kombëtar të integruar të strehimit të përballueshëm.

Në prezantimin e Programit Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë, “Rilindja 2.0”, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se ndryshimet demografike, rritja e çmimeve të banesave dhe zhvillimi urban kërkojnë një qasje të re.

Sipas saj, që prej vitit 2018 rreth 30 mijë familje, ose rreth 100 mijë qytetarë, janë mbështetur përmes politikave të strehimit. Gjatë kësaj periudhe janë dhënë kredi të lehtësuara për 7,219 familje, janë subvencionuar qiratë për 14,512 familje dhe janë ndërtuar 1,058 banesa sociale. Gjithashtu, mbi 6 mijë familje kanë përfituar nga përmirësimi i banesave.

Por ministrja theksoi se realiteti i sotëm është ndryshe. Numri i familjeve është rritur me 4.7% në 11 vjet, ndërsa madhësia mesatare e familjes ka rënë nga 3.9 në 3.2 persona. Paralelisht, çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm, të ndikuara nga kërkesa e lartë në qytete dhe zonat turistike.

Politika e re synon të mos kufizohet vetëm te kategoritë vulnerabël. Në fokus do të jenë edhe çiftet e reja, mjekët, mësuesit, punonjësit e policisë, të rinjtë që zhvendosen për punë dhe shtresa e mesme, të cilat kanë nevojë për banesa më të përballueshme.

Modeli i ri do ta lidhë strehimin me planifikimin urban, tokën publike, transportin, vendet e punës dhe shërbimet publike, në mënyrë që banesat të ndërtohen aty ku nevojat janë më të mëdha.

Një tjetër ndryshim parashikohet në menaxhimin e fondeve. Kontributi prej 3% i zhvilluesve do të mblidhet në një fond kombëtar për strehimin social dhe të përballueshëm. Ndërkohë, të ardhurat nga qiratë dhe shitja e banesave të përballueshme do të rikthehen sërish në politikat e strehimit.

Sipas Ibrahimaj, Enti Kombëtar i Banesave do të transformohet në një shoqëri publike, me përgjegjësi për ndërtimin dhe menaxhimin e banesave sociale dhe të përballueshme.

Aktualisht, rreth 82% e familjeve shqiptare zotërojnë një banesë, kundrejt 68% në Bashkimin Europian. Qeveria synon të ruajë nivelin e lartë të pronësisë, ndërsa paketa e re ligjore dhe instrumentet e politikës së re të strehimit pritet të prezantohen së shpejti.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat