Shqipëria Postuar më 10 Shtator 2026, 12:27

Sejko, takim me BERZH - Fokus te kreditimi, bizneset e vogla dhe integrimi në BE

Nga Diamila Leka

Sejko, takim me BERZH - Fokus te kreditimi, bizneset e vogla dhe integrimi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Francis Malige, Drejtor Menaxhues për Institucionet Financiare në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në qendër të diskutimeve ishte bashkëpunimi mes Bankës së Shqipërisë dhe BERZH-it, zhvillimet në sektorin bankar, rritja e kreditimit të ekonomisë dhe procesi i përafrimit të kuadrit rregullator shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte ecuria e kreditimit të ekonomisë, veçanërisht financimi i sektorit privat. Sejko vlerësoi se sistemi bankar shqiptar vijon të karakterizohet nga kapitalizimi, likuiditeti dhe qëndrueshmëria, duke krijuar premisa për vijimin e mbështetjes së ekonomisë përmes kreditimit.

Ai nënvizoi se zgjerimi i kreditimit duhet të bëhet në mënyrë të kujdesshme dhe të shëndetshme, duke ruajtur cilësinë e portofolit të kredisë dhe standardet e administrimit të rrezikut.

Në takim u diskutua edhe programi i Bankës së Shqipërisë për financimin e bizneseve mikro dhe të vogla. Programi synon të lehtësojë aksesin e tyre në financim dhe të mbështesë investimet dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik.

Përfaqësuesit e BERZH-it e vlerësuan pozitivisht nismën dhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur Bankën e Shqipërisë, si dhe për të shqyrtuar mundësi konkrete bashkëpunimi për zbatimin e saj.

Një pjesë e veçantë e diskutimeve iu kushtua procesit të ekuivalencës së kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës bankar shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Guvernatori Sejko theksoi progresin e bërë ndër vite në përafrimin e kuadrit rregullator dhe praktikave mbikëqyrëse me standardet evropiane. Sipas tij, ky proces është i rëndësishëm për forcimin e sektorit bankar dhe integrimin financiar të Shqipërisë në tregun evropian.

Palët diskutuan gjithashtu mbështetjen për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave dhe forcimin e mekanizmave të sigurisë financiare, ndërsa u vlerësua asistenca e BERZH-it për rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat