Shqipëria Postuar më 18 Korrik 2025, 14:49

Siguria në sezonin turistik/ Proda: Patrullime shqiptaro-italiane në zonën bregdetare të Durrësit!

Nga Edel Strazimiri

Siguria në sezonin turistik/ Proda: Patrullime shqiptaro-italiane në

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti zhvilluan sot një vizitë në Durrës, ku takuan patrullat e përbashkëta shqiptaro-italiane që operojnë në zonën bregdetare.

Patrullimet e përbashkëta, tashmë një traditë partneriteti dhe miqësie, si dhe model bashkëpunimi, kanë si qëllim rritjen e sigurisë publike në pikat me fluks turistësh.

Po ashtu synohet forcimi i bashkëpunimit policor ndërkombëtar në shërbim të qytetarëve, krijimi i një klime të sigurt për pushuesit italianë që zgjedhin Shqipërinë si destinacion dhe lehtësimi i komunikimit me vizitorët dhe turistët e huaj.

Nisja e patrullimeve u përshëndet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, të cilët u shoqëruan gjatë vizitës në Durrës nga Eksperti i Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, Salvatore Gava, dhe nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Vilson Bala.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Proda u shpreh se “siguria është pasaporta e imazhit të vendit tonë dhe, në këtë drejtim, prania juaj në terren është një mesazh i qartë: Shqipëria është e sigurt, mikpritëse dhe e hapur”.

“Patrullimi i përbashkët është një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një garanci konkrete për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve”, shtoi ai.

Ndërkaq, ambasadori italian falënderoi Policinë e Shtetit për punën e përbashkët. “Ky bashkëpunim nuk është i njëanshëm. Gra dhe burra të Policisë shqiptare do të jenë së shpejti të pranishëm në Itali, pasi qëllimi ynë është të intensifikojmë shkëmbimin e aftësive dhe eksperiencave profesionale mes dy policive”, tha ai.

Në përfundim të vizitës, Proda garantoi ambasadorin se Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe përballë sfidave të përbashkëta në fushën e rendit dhe sigurisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat