Shqipëria Postuar më 8 Gusht 2026, 10:40

Si kanë ndryshuar të ardhurat e bashkive në 10 vite? - Taksat që zënë peshën kryesore në buxhetet vendore

Nga Elisabeta Dosku

Si kanë ndryshuar të ardhurat e bashkive në 10 vite? - Taksat

Bashkitë kanë rritur ndjeshëm të ardhurat e tyre përgjatë një dekade. Gjatë periudhës dhjetëvjeçare 2015–2025,  performanca fiskale e njësive të vetëqeverisjes vendore konsiderohet si një ndër zhvillimet më të rëndësishme.

Të ardhurat e veta janë rritur me 248% nga 2015 deri në 2025, nga 11.7 miliard lekë që ishin në vitin 2015, në vitin 2025 ato arritën rreth 40.9 miliard lekë.

Kjo dinamikë reflekton zgjerimin e bazës së të ardhurave vendore, përmirësimin e kapaciteteve mbledhëse dhe efektet e reformës së decentralizimit fiskal.

Në të njëjtën linjë, edhe të ardhurat jotatimore kanë shënuar rritje, megjithëse në një ritëm më të moderuar. Ato janë rritur nga 2.3 miliard lekë në vitin 2015 në 3.9 miliard lekë në vitin 2025, duke treguar progres në menaxhimin e shërbimeve dhe tarifave vendore.

Burimet kryesore të të ardhurave për vitin 2025 janë taksa e pasurisë së paluajtshme e cila 18% e totalit të të ardhurave vendore dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, duke zënë 37%, ( ku vetëm bashkia Tiranë mbledh 40 % të kësaj takse), tarifa e pastrimit dhe higjienës zë 13 % të totalit të të ardhurave vendore.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë paraqet rritjen më të theksuar (+1057%), duke kaluar nga 1.4 miliardë lekë në 16.4 miliardë lekë. Kjo tregon rritje të ndjeshme të aktivitetit të ndërtimit dhe rol gjithnjë e më të madh të kësaj takse si burim financiar për njësitë vendore.  Megjithatë, për shkak të natyrës ciklike të sektorit të ndërtimit, varësia e lartë nga kjo taksë paraqet rreziqe për qëndrueshmërinë afatmesme të të ardhurave.

Taksa e pasurisë është rritur me +146%,  konkretisht nga 3.3 miliardë lekë në 8.1 miliardë lekë, megjithatë, pesha e saj mbetet relativisht modeste krahasuar me potencialin.

Tarifa e pastrimit dhe higjienës është rritur me 263%, duke kapërcyer nga 1.6 miliardë lekë në 5.9 miliardë dhe tarifat për zënien e hapësirave publike  me +252%, çka  tregojnë zgjerim të shërbimeve publike si dhe rritje të kostove operative.

Taksa e fjetjes në hotel është rritur nga 98,6 milionë lekë në 736 milionë lekë ose +646%, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit turistik dhe përmirësimin e nivelit të formalizimit në sektorin e akomodimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat