Shqipëria Postuar më 8 Gusht 2026, 10:37

Klasterat industrialë, modeli i ri për tërheqjen e investimeve - Strategjia synon integrimin e bizneseve vendase në zinxhirët globalë të furnizimit

Nga Diamila Leka

Klasterat industrialë, modeli i ri për tërheqjen e investimeve -

Qeveria ka miratuar një tjetër masë në kuadër të Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021–2027, e cila synon krijimin e një programi kombëtar për zhvillimin e klasterave industriale dhe integrimin e tyre në zinxhirët e investimeve të huaja direkte.

Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, klasterat do të krijohen në sektorë prioritarë si agropërpunimi, tekstilet, veshjet dhe lëkura, energjia e pastër, metalet bazë, lëndët e para kritike, druri dhe turizmi.

Qëllimi është rritja e kapaciteteve të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, duke i shndërruar ato nga prodhues me kosto të ulët në partnerë të besueshëm për investitorët e huaj dhe pjesë të zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit.

Strategjia parashikon gjithashtu një sistem stimujsh për investitorët e huaj, ku mbështetja do të lidhet me rezultate konkrete, si transferimi i njohurive, zhvillimi i furnizuesve vendas dhe bashkëpunimi në projekte inovative.

Një tjetër element i masës është profesionalizimi i menaxhimit të klasterave, përmes programeve të trajnimit dhe certifikimit të menaxherëve, me synimin për të rritur konkurrueshmërinë e industrisë shqiptare.

Përmes kësaj nisme, qeveria synon që Shqipëria të mos jetë vetëm një destinacion me kosto të ulët prodhimi, por një ekonomi e integruar në zinxhirët evropianë të vlerës dhe më tërheqëse për investimet e huaja.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat