Shqipëria Postuar më 19 Mars 2026, 13:17

Rikonstruksion i tre rrugëve në Sarandë - Bashkia hap garën, infrastrukturë cilësore për pushuesit dhe banorët

Nga Ernilda Luzi

Rikonstruksion i tre rrugëve në Sarandë - Bashkia hap garën,

Bashkia Sarandë ka shpallur hapjen e garës për rikualifikimin e disa rrugëve të brendshme në zonën e njohur si “Lugu i Dardhës”, një nga hapësirat me potencial zhvillimi urban dhe turistik në qytet. Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti synon përmirësimin e infrastrukturës në këtë zonë.

Ndërkohë, projekti parashikon ndërhyrjen në tre segmente rrugore, të cilat aktualisht ndodhen në gjendje të amortizuar dhe të degraduar në një pjesë të konsiderueshme të tyre. Problematikat ekzistuese lidhen kryesisht me dëmtimin e shtresave rrugore, mungesën e kushteve të përshtatshme për qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve, si dhe mungesën e elementëve të nevojshëm urbanë që garantojnë siguri dhe funksionalitet.

Referuar dokumentit, ndërhyrja do të jetë e plotë dhe do të konsistojë jo vetëm në rikonstruksionin e rrugëve, por edhe në përmirësimin e përgjithshëm të mjedisit urban përreth. Projekti synon krijimin e një infrastrukture moderne, që përmbush standardet bashkëkohore dhe i përgjigjet nevojave të komunitetit lokal, duke e kthyer këtë zonë në një hapësirë më të aksesueshme dhe funksionale për banorët dhe vizitorët.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij investimi është ndikimi që pritet të ketë në zhvillimin turistik të zonës. “Lugu i Dardhës” konsiderohet si një nga zonat me frekuentim në rritje nga pushues vendas dhe të huaj. Gjithashtu, përfituesit kryesorë të projektit do të jenë banorët e zonës, por edhe turistët që zgjedhin Sarandën si destinacion për pushimet e tyre.

Fondi limit i parashikuar për realizimin e këtij investimi është 20 milionë e 699 mijë lekë. Sipas dokumentit, projekti do të hartohet dhe zbatohet në përputhje me të gjitha normat dhe standardet në fuqi, sipas Bashkimit Evropian si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e projektimit dhe ndërtimit.

Ky investim synon të përmirësojë cilësinë e jetesës për qytetarët, duke i dhënë njëkohësisht një shtysë të re zhvillimit urban dhe turistik të qytetit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat