Analiza Postuar më 19 Mars 2026, 11:40

Prodhimi në vështirësi, vetëm ndërtimi me rritje/ Tkurrja më e madhe e aktivitetit ekonomik preku industrinë

Nga Xhorxhina Deda

Prodhimi në vështirësi, vetëm ndërtimi me rritje/

Ndërsa sektori i shërbimeve vijoi rritjen në tremujorin e katërt të vitit 2025, prodhuesit e të mirave paraqiten me një ecuri më të dobët, duke reflektuar një ritëm të pabarabartë të zhvillimit ekonomik në vend.

Të dhënat tregojnë se industria dhe energjia kanë ushtruar presion negativ mbi sektorin. Industria shënoi rënie të shitjeve neto me 2.0% dhe të prodhimit me 0.5%, ndërsa punësimi dhe fondi i pagave ranë përkatësisht me 2.3% dhe 1.8%. Rënie edhe më e fortë u regjistrua në energji, ku shitjet neto u tkurrën me 10.0%, megjithëse prodhimi u rrit me 5.9%, duke sinjalizuar një mospërputhje mes ofertës dhe kërkesës në këtë sektor.

Në të kundërt, sektorë të tjerë kanë mbajtur një kontribut pozitiv. Furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve shënuan rritje të shitjeve me 7.0% dhe të prodhimit me 4.5%, ndonëse punësimi në këtë aktivitet ra me 2.4%. Ndërtimi vijon të jetë ndër sektorët më dinamikë, me rritje të shitjeve me 3.1%, të prodhimit me 2.6% dhe të punësimit me 5.9%, duke reflektuar vazhdimësinë e investimeve në këtë fushë.

Në një plan më të gjerë, zhvillimet tregojnë një ekonomi që po orinetohet gjithmonë e më shumë drejt shërbimeve dhe duke u bërë më pak prodhuese.

Statistikat afatshkurtra tregojnë se rritja ekonomike në fund të vitit 2025 mbështetet më shumë në sektorët e shërbimeve, ndërsa baza prodhuese mbetet më e brishtë dhe me ritme më të paqëndrueshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat