Shqipëria Postuar më 19 Mars 2026, 11:40

Pensionet private, përjashtohet nga tatimi kontributi nga paga - Çdo i punësuar mund të “shpëtojë” deri 500 euro në muaj

Nga Elisabeta Dosku

Pensionet private, përjashtohet nga tatimi kontributi nga paga - Çdo

Çdo individ që kontribuon në skemat private të pensioneve, lehtësohet nga tatimi që paguan mbi të ardhurat nga punësimi.

Referuar udhëzimi të ri të Ministrisë së Financave “shuma që zbritet nga paga dhe derdhet nga punëdhënësi apo punëmarrësi në fondet e pensionit vullnetar si kontribut i punonjësit,  zbritet nga të ardhurat personale të të punësuarit për efekt tatimi.

Konkretisht nëse një individ ka një pagë mujore 1 mijë euro në muaj, dhe 100 euro i ndan si kontribut në fondin e pensione private, paga e tij do të tatohet në nivelin e 900 eurove.

Po ashtu, në udhëzim thuhet se kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit.

Por po ashtu, përcaktohet se shuma që zbritet nga paga si kontribut për punëmarrësin në fondet e pensionit vullnetar nuk duhet të jetë më e madhe se paga minimale në shkallë vendi.  Pra e thënë ndryshe, pavarësisht sa e ka pagën, çdo i punësuar mund të “shpëtojë” dhe ta derdhë si kontribut për pension privat, maksimumi 500 euro në muaj.

Për zbritjet e bëra, punëdhënësi duhet të disponojë dokumentacion justifikues, si:  Kontratën e lidhur me fondin e pensionit vullnetar dhe Vërtetimin/dokument të lëshuar nga fondi i pensionit vullnetar, i cili vërteton që këto zbritje janë derdhur si pagesë në këtë fond.

Vërtetimi dorëzohet një herë në vit për të gjithë vitin tatimor në të cilin derdhen kontributet në fondin e pensionit, brenda datës 20 janar të vitit pasardhës.

Ky dokumentacion duhet të administrohet në çdo kohë dhe të vihet në dispozicion të administratës tatimore nëse kërkohet.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat