Analiza Postuar më 19 Mars 2026, 11:22

Pasuritë e paluajtshme nxisin zgjerimin ekonomik/ Shërbimet mbyllin 2025 me rritje, por punësimi bie në disa sektorë

Nga Xhorxhina Deda

Pasuritë e paluajtshme nxisin zgjerimin ekonomik/ Shërbimet mbyllin

Sektori i shërbimeve vijon ecurinë pozitive edhe në tremujorin e katërt të vitit 2025, duke shënuar rritje të përgjithshme në shitjet neto, punësim dhe paga, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shitjet neto në volum u rritën në shumicën e aktiviteteve, me përjashtim të informacionit dhe komunikacionit që shënoi një rënie të lehtë prej 1.4%. Rritjen më të fortë e regjistroi sërish aktiviteti i pasurive të paluajtshme me 36.4%, duke konfirmuar rolin dominues në zgjerimin e sektorit. Performancë të lartë shënuan edhe hotelet me 12.3% dhe bar-restorantet me 7.1%, ndërsa transporti, magazinimi dhe posta u rritën me 6.1%. Rritje më modeste u regjistrua në shërbimet ligjore dhe të kontabilitetit me 0.3%.

Edhe tregu i punës paraqitet në zhvillim, megjithëse me ritme më të përziera. Punësimi u rrit ndjeshëm në tregtinë me shumicë dhe pakicë me 9.3% dhe në hotele me 8.6%. Rritje u shënuan gjithashtu në pasuritë e paluajtshme, agjencitë e udhëtimit dhe aktivitetet inxhinierike. Nga ana tjetër, ulje e punësimit u regjistrua në transport me 3.0%, në aktivitetet e sigurimit dhe hetimit me 2.7%, si dhe në administrimin e zyrave me 8.6%.

Pagat vijojnë trendin rritës në pjesën më të madhe të aktiviteteve, duke reflektuar presionet në tregun e punës. Rritjen më të lartë e shënuan hotelet me 22.5% dhe pasuritë e paluajtshme me 30.0%. Rritje të konsiderueshme pati edhe në transport dhe agjencitë e udhëtimit me nga 8.4%, si dhe në tregti me 7.5%. Në të kundërt, ulje e pagave u regjistrua në aktivitetet e sigurimit dhe hetimit me 7.7% dhe në administrimin e zyrave me 11.5%.

Të dhënat konfirmojnë se sektori i shërbimeve mbetet një nga kontribuesit kryesorë në rritjen ekonomike, i mbështetur kryesisht nga dinamika e turizmit dhe zhvillimi i tregut të pasurive të paluajtshme.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat