Shqipëria Postuar më 28 Gusht 2026, 10:35

Rekord financimi për startup-et/ 600 milionë lekë për 163 sipërmarrje inovative

Nga Fabjona Pasho

Rekord financimi për startup-et/ 600 milionë lekë për 163

Shqipëria rrit ndjeshëm mbështetjen për startup-et. Programi i Financimit Grant 2026 i Innovation4Albania sjell këtë vit fondin më të madh që prej krijimit të programit, me 600 milionë lekë të vëna në dispozicion për sipërmarrjet inovative. Fondi është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, nga 300 në 600 milionë lekë, ndërsa numri i startup-eve përfituese është rritur nga 81 në 163.

Interesi i sipërmarrësve ka qenë rekord. Për thirrjen e këtij viti janë dorëzuar 1.179 aplikime, duke treguar rritjen e interesit për inovacionin dhe teknologjinë në vend. Financimi nuk është përqendruar vetëm në kryeqytet. Startup-e përfituese ka në të gjitha qarqet e Shqipërisë, ndërsa qytetet jashtë Tiranës kanë shënuar rritje të ndjeshme.

Vlora kryeson me 8 startup-e të financuara, e ndjekur nga Shkodra me 7. Për herë të parë, pjesë e hartës së përfituesve janë edhe Berati dhe Kukësi, duke zgjeruar më tej shtrirjen gjeografike të ekosistemit. Projektet e financuara mbulojnë sektorë të ndryshëm, nga inteligjenca artificiale dhe teknologjia e informacionit, te energjia, mjedisi, agribiznesi, turizmi dhe zgjidhjet digjitale.

Një element i rëndësishëm i programit është edhe përfshirja e diasporës. 18 themelues të startup-eve të financuara jetojnë në qytete të ndryshme të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, mes tyre Mynihu, San Francisko, Vjena, Londra, Mançesteri dhe Roma.

Për herë të parë, grantet do të mbështesin edhe 8 organizata lehtësuese të ekosistemit, të përzgjedhura nga 40 aplikime. Ato do të ofrojnë asistencë teknike, rrjetëzim dhe ekspertizë për startup-et, veçanërisht në fushat e inteligjencës artificiale, ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë digjitale.

Rritja e ekosistemit shqiptar reflektohet edhe në renditjet ndërkombëtare. Sipas renditjes së fundit të StartupBlink, Shqipëria është renditur e katërta në Evropë për rritjen e ekosistemit të startup-eve, ndërsa në klasifikimin global është ngjitur në vendin e 75-të, me një rritje vjetore prej 71.1%. Edhe Tirana ka shënuar një ngjitje të fortë, duke u pozicionuar ndër qytetet me rritjen më të shpejtë të ekosistemit të startup-eve në Ballkan.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat