Shqipëria Postuar më 27 Gusht 2026, 13:07

Rritet prodhimi nga centralet diellore - 448 GWh në 3 muaj, pesha në prodhimin vendas arriti 19% për periudhën prill-qershor

Nga Ola Mitre

Rritet prodhimi nga centralet diellore - 448 GWh në 3 muaj, pesha në

Zgjerimi i shpejtë i kapaciteteve fotovoltaike po reflektohet gjithnjë e më shumë në bilancin energjetik të vendit. Të dhënat e Institutit të Statistikave për 3-mujorin e dytë të këtij viti tregojnë se prodhimi nga burimet e tjera të rinovueshme, ku përfshihet kryesisht energjia fotovoltaike, arriti në 448 GWh, nga 288 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar apo 55.6% më shumë.

Rritja e prodhimit bënë që këto burime të siguronin 19% të gjithë energjisë elektrike të prodhuar në vend gjatë periudhës prill-qershor. Në total, prodhimi vendas arriti në 2,361 GWh, ku 42.8% u sigurua nga hidrocentralet publike dhe 38.2% nga hidrocentralet private dhe koncesionare.

Të dhënat konfirmojnë një tendencë që është përshpejtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, paralelisht me shtimin e centraleve fotovoltaike. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, kapaciteti i instaluar i centraleve diellore është shumëfishuar, nga vetëm 21 MW në vitin 2020 në 631 MW në fund të vitit 2025. Vetëm në dy vitet e fundit zgjerimi ka qenë i fortë, nga 188 MW në vitin 2023, në 449 MW në 2024 dhe 631 MW në 2025.

Në të njëjtën periudhë, numri i centraleve fotovoltaike u rrit nga 10 në 53, ndërsa prodhimi vjetor i energjisë diellore u zgjerua nga rreth 32 mijë MWh në vitin 2020 në mbi 832 mijë MWh gjatë vitit të kaluar.

Rritja e burimeve të tjera të rinovueshme po ndryshon gradualisht edhe strukturën e prodhimit të energjisë në vend, që historikisht ka qenë e dominuar thuajse tërësisht nga hidrocentralet. Megjithatë, zgjerimi i shpejtë i fotovoltaikëve po sjell edhe nevojën për menaxhimin e prodhimit të energjisë në orët kur rrezatimi diellor është më i lartë. Për këtë arsye, disa prej projekteve të mëdha fotovoltaike në vend kanë nisur procedurat për integrimin e sistemeve të depozitimit të energjisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat