Shqipëria Postuar më 27 Gusht 2026, 11:23

323 ATM të reja, shqiptarët vijojnë tërheqjen e cash-it - BSH: Depozitimet zënë vetëm 37% të numrit të transaksioneve

Nga Ledina Elezi

323 ATM të reja, shqiptarët vijojnë tërheqjen e cash-it -

Ndërsa numri i bankomateve sa vjen e rritet, shqiptarët vijojnë t’i përdorin kryesisht për një funksion të vetëm: tërheqjen e parave cash.

Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, në gjysmën e parë të 2026 rezultojnë të jenë instaluar 323 bankomate të reja në vend, duke e çuar numrin total të ATM-ve aktive në 1,414. Shumica e tyre ofrojnë vetëm shërbimin e tërheqjes së parave, ndërsa pak përfshijnë edhe funksionin e depozitimit të parave apo urdhër transfertave.

Pavarësisht se 363 bankomate në Shqipëri shërbejnë edhe për të kryer transferta bankare si kalim parash nga një llogari në një tjetër apo shlyerje detyrimesh, në bankomat janë realizuar zero transaksione të tilla gjatë gjashtëmujorit të parë. Disa prej urdhër transfertave mund të kryhen lehtësisht nga rehatia e shtëpisë përmes telefonit, prandaj marrja e këtij shërbimi përmes ATM-ve shihet si i panevojshëm.

Ndërkohë, as gjysma e bankomateve rezulton të kenë funksionin e depozitimit të parave. Shtimi i këtij shërbimi në të gjitha ATM-të, do të shkurtonte radhët dhe kohën e pritjes në sportelet fizike të bankave për të kryer një veprim aq të thjeshtë, ndërsa do të ulte ndjeshëm edhe kostot.

Por sa para’ kanë qarkulluar në bankomate gjatë gjysmës së parë të vitit?

Rreth 322 miliardë është totali i lekëve të tërhequra dhe depozituara në bankomat gjatë periudhës janar-qershor. Statistikat tregojnë se 63% e veprimeve në ATM ishin tërheqje parash dhe 37% depozitim, pra 192 miliardë dhe 68 miliardë lekë.

Një numër më i madh bankomatesh nënkupton rritje të përfshirjes financiare të qytetarëve dhe të aksesit të tyre në shërbime bankare. Megjithatë, shtimi i bankomateve i ofron më tepër mundësi individëve që të tërheqin para fizike, e për rrjedhojë t'i përdorin më shumë këto të fundit për kryerje pagesash, në vend të përdorimit të kartës për realizimin e pagesave elektronike.

Shërbimet e bankomatit janë të disponueshme 24 orë në 7 ditë të javës. Kursen kohë, zvogëlon kostot për klientin dhe ul barrën e punonjësve të bankës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat