Shqipëria Postuar më 8 Prill 2026, 17:57

Ndryshime në skemën e pensioneve, Rama: Fond i veçantë për ata që duan pensione më të larta

Nga SCAN TV

Ndryshime në skemën e pensioneve, Rama: Fond i veçantë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërhyrje në skemën e pensioneve. Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste në Lezhë, ai bëri me dije se qëllimi është krijimi i një fondi të veçantë, për ata që duan të kenë një pension më të lartë. 

“Ne e kemi ditur që ishte pika më e dobët, hallka më e dobët e gjithë skeletit social të Shqipërisë dhe patjetër që, duke pasur edhe një mbështetje të madhe nga pensionistët, kemi qenë gjithmonë të vetëdijshëm që për pensionistët duhej bërë patjetër diçka, por s’kemi pasur mundësi ta bëjmë. Jo më larg sesa sot paradite po diskutonim disa ndërhyrje të tjera të rëndësishme për pensionin, të cilat nuk kemi pasur mundësi t’i bëjmë më përpara, duke përfshirë edhe fillimin e krijimit të një fondi të veçantë për pensionet për ata që duan ta kenë pensionin më të lartë, ku shteti do të japë një kontribut të barabartë me kontributin që do japë personi dhe ai kontribut është aty dhe rritet deri kur personi del në pension, për shembull. Po ku kemi pasur ne mundësi t’i bënim këto? E nëse e kemi sot, e kemi se rritet ekonomia”, - tha ai.

Ndër të tjera ai foli edhe për ambicien për të rritur Prodhimin e Brendshëm Bruto, në 35 mld lekë në vitin 2030.

“E kemi marrë ekonominë e këtij vendi me më pak se 10 miliardë prodhim të përgjithshëm. Sot që flasim e kemi çuar në afro 27 miliardë. Duam ta çojmë në 35 miliardë në 2030. Është e bëshme. Është e bëshme!”, - tha ai.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat