Shqipëria Postuar më 5 Mars 2026, 12:56

Ndarja e mbetjeve nis nga shtëpia e biznesi - Rregullat e reja/ Synohet rritja e riciklimit dhe ulja e sasisë që përfundon në landfill

Nga Ola Mitre

Ndarja e mbetjeve nis nga shtëpia e biznesi - Rregullat e reja/ Synohet

Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektvendimin që synon të vendosë rregulla më të qarta për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, me qëllim rritjen e riciklimit dhe uljen e sasisë së mbetjeve që përfundojnë në landfill.

Dokumenti përcakton kriteret, procedurat dhe afatet që duhet të ndjekin qytetarët, bizneset dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për ndarjen e mbetjeve sipas rrymave të ndryshme, si letër dhe karton, qelq, metal, plastikë apo materiale të tjera të riciklueshme.

Sipas draftit, ndarja e mbetjeve duhet të bëhet që në burim, që në rastin e familjeve nënkupton ndarjen sipas llojit që në shtëpi, ndërsa grumbullimi do të realizohet përmes kontejnerëve dhe pajisjeve të posaçme, të identifikuara me ngjyra të ndryshme për secilin lloj mbetjeje.

Projektvendimi parashikon gjithashtu një sistem raportimi për operatorët dhe bashkitë. Operatorët që grumbullojnë mbetje duhet të raportojnë çdo vit pranë bashkive për sasinë dhe llojin e mbetjeve të mbledhura, ndërsa njësitë vendore duhet të raportojnë pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për të dhënat mbi grumbullimin, trajtimin dhe problematikat e konstatuara në sistem.

Në projektvendim janë përcaktuar edhe afatet që duhet të ndjekin njësitë e vetëqeverisjes vendore për rritjen e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve. Sipas objektivave të përcaktuara në draft, niveli i përgatitjes për ripërdorim dhe riciklim të mbetjeve bashkiake duhet të arrijë të paktën 25% deri në vitin 2030, 50% deri në vitin 2033 dhe 55% deri në vitin 2035. Në periudhën afatgjatë, ky nivel synohet të rritet në 60% deri në vitin 2040 dhe në 65% deri në vitin 2045.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat