Shqipëria Postuar më 5 Mars 2026, 12:54

Ish-ushtarakët po rikthehen në uniformë - Rreth 70% më pak largime nga Forcat e Armatosura. Si po rriten kapacitetet?

Nga Ledina Elezi

Ish-ushtarakët po rikthehen në uniformë - Rreth 70% më pak

Forcat e Armatosura, jo vetëm që po tërheqin më shumë të rinj në radhët e tyre, por po rikthejnë edhe ata që kanë shërbyer më parë, të cilët janë larguar përgjatë viteve për arsye të ndryshme. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, largimet e ushtarakëve kanë pësuar një rënie me 70% në krahasim me vitet e kaluara.

Ndërkohë, paralelisht me zvogëlimin e dëshirës për t'u larguar nga Forcat e Armatosura, kemi edhe fillimin e rikthimeve. Herë për shkak të pagave të ulëta dhe herë për shkak të vështirësisë së ecurisë në karrierë, shumë ushtarakë kanë hequr dorë nga uniforma ose kanë dalë në rezervë. Por situata nuk është më si më parë. Me rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të tjera të punës, vetëm në janar-shkurt rezultojnë të jenë rikthyer në forcë aktive 48 ushtarakë, prej të cilëve 4 oficerë, 30 nënoficerë dhe 14 ushtarë detarë aktivë. Parashikohet që deri në fund të vitit, ky ritëm i rikthimeve të vijojë.

Në vitin 2024, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për rezervistët. Ushtarakët, të cilët kanë dalë në rezervë, si edhe shtetasit civilë, që plotësojnë kriteret e pranimit të shërbimit ushtarak në rezervë, rekrutohen nëpërmjet konkurrimit dhe nënshkruajnë kontratën përkatëse për shërbimin ushtarak në rezervë me kohëzgjatje jo më pak se 2 vjet me të drejtë rinovimi. Ato do të jenë kapacitete shtesë përkrah forcave aktive të FA në operacione.

Rekrutimet kanë nisur tashmë, ndërsa synohet që të kemi 363 rezervistë në 2026 dhe këtë ritëm ta mbajmë nga viti në vit. Ato janë të specialiteteve të ndryshme, mjekë, specialistë telekomesh apo inxhinierë, ndërsa për të tërhequr gjithnjë e më shumë rezervistë, është menduar që kontrata të shoqërohet edhe me bursa.

Shërbimi në rezervë do të përfshijë një forcë rezerviste që do të përbëhet nga 25% e forcave aktive, ose rreth 2100 personel, duke siguruar kështu një kapacitet të rëndësishëm për reagim të shpejtë në raste emergjente.

Edhe pranimet e reja në Forcat e Armatosura shfaqin të njëjtën tendencë. Vetëm në fazën e parë të rekrutimeve për vitin 2026 rezultojnë të jenë 252 fitues. Në 14 muajt e fundit, i janë shtuar Forcave të Armatosura 1000 personel aktiv. Plani është që të vijohet me 200 rekrutime të tjera në mars-prill dhe 400 të tjerë në gjysmën e dytë të vitit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat