Shqipëria Postuar më 24 Prill 2025, 13:10

Ministri Malaj: Të ardhurat për frymë u rritën më shpejt se sa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor

Nga SCAN TV

Ministri Malaj: Të ardhurat për frymë u rritën më

Kryeministri Edi Rama, ministri i Financave, Petrit Malaj dhe ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Dalina Ibrahimaj prezantuarn paketën për “Paqen Fiskale”, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit në Elbasan. Në fjalën e tij, ministri Malaj u shpreh ndër të tjera se, të ardhurat për frymë në Shqipëri janë rritur më shpejt se sa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në vijim fjala e Ministrit të Financave, Petrit Malaj

Unë do të doja të filloja fillimisht duke bërë një përshkrim të situatës ekonomike, por duke e parë në një plan 10 vjeçar, pra çfarë ka ndodhur gjatë 10 viteve të fundit. Kjo është e rëndësishme sepse duhet të kuptojmë se në vitin 2013, kur kjo forcë politike me në krye Kryeministrin Edi Rama mori detyrën, gjeti një shtet me arkën bosh, gjeti një vend me një papunësi mbi 17 %, gjeti një vend me borxhe të fshehura dhe me një borxh publik mbi 70 %. Falë reformave të ndërmarra, natyrisht shpesh herë dhe me dhimbje, Shqipëria ka kaluar një transformim të jashtëzakonshëm ekonomik dhe kjo e parë jo vetëm në planin kombëtar por krahasuar edhe me vendet e rajonit.

Në qoftë se do t’i referoheshim treguesit kryesor, Prodhimit të Brendshëm Bruto, në vitin 2013, kur ne morëm detyrën, ai ishte vetëm 9.6 miliardë Euro dhe sot që flasim Prodhimi i Brendshëm Bruto është 25 miliardë Euro, ndërkohë që sipas projeksioneve tona, në vitin 2013, Prodhimi i Brendshëm Bruto do të jetë 35 miliardë Euro.

Nëse do t’i referoheshim përsëri Prodhimit të Brendshëm Bruto ose GDP-së së rajonit, rritja e GDP-së në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë 10 vjeçarit të fundit ka qenë rreth 60 %, ndërkohë që në Shqipëri rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qenë 110 %.

Gjithashtu, po t’i referohemi dhe të ardhurave për frymë, po prapë një element dhe tregues shumë i rëndësishëm ekonomik, në vitin 2013 kur ne morëm detyrën të ardhurat për frymë ishin rreth 3300 Euro, sot që flasim janë 10,400 Euro dhe planifikimi për vitin 2030 është që të ardhurat për frymë në Shqipëri të jenë 15,000 Euro.

Gjithashtu, e parë edhe në planin rajonal, të ardhurat për frymë janë rritur më shpejt se sa të ardhurat për frymë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në qoftë se në vitin 2013 Shqipëria i kishte të ardhurat për frymë 22 % më pak se sa mesatarja e rajonit, sot që flasim jemi 15 % më lart se sa mesatarja e rajonit.

Nëse do të shohim tregun e punës në Shqipëri, papunësia në momentin që ne morëm detyrën në vitin 2013 ishte 17.5 %, sot që flasim kemi një papunësi 8.8 %, niveli më i ulët historik në 30 vitet e fundit dhe planifikimi ynë është që në vitin 2030 të arrijmë mesataren e Bashkimit Europian me një normë papunësie prej 6.6 %.

Gjithashtu, në tregun e punës ka pasur një reformë të rëndësishme përsa i përket pagave. Në vitin 2013, paga mesatare në Shqipëri në sektorin publik dhe në sektorin privat ka qenë rreth 322 Euro, sot që flasim kemi një pagë mesatare 848 Euro dhe planifikimi është që paga mesatare deri në vitin 2030 të shkojë 1000 Euro.

Element tjetër i rëndësishëm është dhe thithja e investimeve të huaja direkte. Investimet e Huaja Direkte në vitin 2013 kanë qenë 950 milionë Euro, sot që flasim janë 1.6 miliardë Euro dhe totali i stokut të Investimeve të Huaja Direkte është rreth 15 miliardë Euro në Shqipëri.

Nga ana tjetër,po të bëjmë edhe një krahasim të thithjes së IHD-ve në Shqipëri, do të  vërejmë se Shqipëria ka tërhequr më shumë Investimeve të Huaja Direkte në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto se sa vendet e rajonit. Në qoftë se mesatarja e thithjes së IHD-ve në vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë rreth 6.1 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto, Shqipëria gjatë 10 vjeçarit të fundit ka pasur një tërheqje të IHD-ve rreth 8.1 % e PBB-së,

Një nga elementët kryesorë për të cilët Shqipëria është vlerësuar maksimalisht edhe nga organizatat ndërkombëtare është edhe borxhi publik. Në vitin 2013 borxhi publik ka qenë mbi 70 %, sot që flasim borxhi publik është 54 % dhe plani është që ka çojmë borxhin publik deri në 2030 nën 50 %. Po t’i referohemi borxhit publik në nivel rajonal, nëse në 10 vjeçarin e fundit, në vendet e Ballkanit Perëndimor, borxhi publik është rritur  mesatarisht me 3.1 %, në Shqipëri është ulur me 16 %.

Këto janë disa indikatorë përsa i përket ecurisë ekonomike. Megjithatë, po t’i referohemi dhe aspektit të fiskut, sepse shpesh herë dëgjojmë nëpër media dhe banaqe që Shqipëria ka një kuadër fiskal që është relativisht i rënduar për tatimpaguesit, më lejoni të theksoj se ne kemi kuadrin fiskal më konkurrues në rajon.

90 % e subjekteve aktive paguajnë zero tatim fitimi. Pra, nga 140 mijë subjekte që janë sot aktivë, 90 % e tyre paguajnë zero tatim fitimi. Vetëm 23 % e subjekteve aktive paguajnë TVSH ose janë subjekt i TVSH-së. Merrni një vend në Ballkanin Perëndimor ose në Europë që realizon deri në 140 mijë Euro të ardhura dhe ju paguani zero tatim fitimi.

Sa i përket taksës progresive, meqë lakohet shpesh nga “këneta”që taksa progresive po i varfëron shqiptarët, etj., me reformën që ndërmorri qeveria sa i përket taksës progresive kur mori detyrën, iu jepen shqiptarëve rreth 145 milionë Euro më shumë në dorë, si rezultat i taksës progresive. Me taksën progresive që ne kemi sot në fuqi, 93 % e punëmarrësve paguajnë nga zero deri në 10 % tatim mbi të ardhurat personale ose TAP, siç e njihni ju.

E megjithatë, pavarësisht faktit se ne kemi kuadrin fiskal më konkurrues në rajon, në dhjetor të vitit të kaluar dakordësuam me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bashkimin Europian Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, e cila parashikon që periudhën 2024-2027 të mos ketë rritje të normave tatimore por të ardhurat të gjenerohen nga miradministrimi tatimor dhe doganor.

Të nderuar sipërmarrës, të gjitha këto vlerësime që unë po trajtoj tani, nuk janë vlerësime që i bëjmë ne si qeveri, por janë vlerësime që bëhen nga organizma ndërkombëtarë, siç janë FMN, BB, BE apo agjenci prestigjioze si Standard & Poor’s apo Moody’s.

Natyrisht lind pyetja: A kemi bërë mjaftueshëm? Patjetër që ka nevojë të bëhet më shumë. Padyshim që ne duam ta çojmë marrëdhënien me sipërmarrjen në një nivel tjetër. Ne jemi duke punuar si me administratë tatimore, ashtu edhe me administratën doganore, së pari për të rritur kapacitetet sa i përket kapitalit njerëzor, duke trajnuar administratën. Së dyti, po investojmë në mënyrë intensive në teknologjinë e informacionit përsa i përket dixhitalizimit total si dhe inteligjencës artificiale, në mënyrë që t’i reduktojmë në minimum kontrollet në terren, natyrisht që paralelisht po punojmë dhe me përafrimin e të gjithë kuadrit fiskal me direktivat e Bashkimit Europian në mënyrë që të përgatisim terrenin për sipërmarrjen shqiptare që të jetë e përgatitur në momentin kur Shqipëria të jetë pjesë e BE-së.

Para se ta mbyll dua të them dy fjalë sa i përket rëndësisë së këtyre zgjedhjeve, sepse nuk janë zgjedhje të zakonshme. Këtu nuk po flasim për zgjedhje për të votuar një krah politik apo një krah tjetër politik. Kësaj radhe zgjedhjet janë për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ju më shumë se kushdo tjetër besoj e dini dhe besoj nuk është e nevojshme që unë të bëj një narrativë në lidhje me rëndësinë e të qenurit në BE, por sa i përket aspektit ekonomik, të qenurit në BE për Shqipërinë një avantazh shumë i madh.  Kësaj radhe bëhet fjalë për të hyrë në Bashkimin Europian apo jo. Prandaj është shumë e rëndësishme data 11, numri 5.

Ju faleminderit për vëmendjen.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat