Shqipëria Postuar më 25 Dhjetor 2025, 10:45

Licencat e energjisë elektrike - ERE, rregulla të reja. Kërkon të dhëna për pronësinë e tokës ku ndërtohen centralet

Nga Ola Mitre

Licencat e energjisë elektrike - ERE, rregulla të reja. Kërkon

Deklarim i vendndodhjes së saktë të impiantit gjenerues dhe mënyrës së disponimit të pronës ku parashikohet ndërtimi apo funksionimi i centralit”. Këto janë 2 prej kërkesave të reja për licencim në sektorin e energjisë elektrike, teksa Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurën për rishikimin e rregullores që përcakton procedurat dhe afatet për dhënien, modifikimin, transferimin, rinovimin dhe heqjen e tyre. Enti specifikon se ndryshimet synojnë rritjen e qartësisë, unifikimin e praktikave administrative dhe përmirësimin e zbatueshmërisë së kuadrit rregullator.

Sipas ndryshimeve të propozuara, çdo subjekt që aplikon për licencë do të duhet të specifikojë nëse prona ku ndodhet ose do të ndërtohet impianti është në pronësi, me qira, me huapërdorje apo në një formë tjetër ligjore disponimi. Gjithashtu, kërkohet përshkrimi i vendndodhjes së saktë të impiantit gjenerues, si pjesë e detyrueshme e dokumentacionit të aplikimit.

Drafti i ndryshimeve parashikon edhe një sërë rregullimesh të tjera. Ato përfshijnë saktësime mbi dokumentacionin që duhet të paraqitet nga aplikuesit, afatet e shqyrtimit të aplikimeve, mënyrën e publikimit të njoftimeve dhe procedurat për paraqitjen e kundërshtimeve nga palët e interesuara.

Ndryshime janë propozuar edhe në kriteret financiare për licencim, duke kërkuar që aplikuesit të dokumentojnë mbështetjen financiare për ushtrimin e aktivitetit, si dhe në dokumentacionin juridik dhe mjedisor që duhet të shoqërojë aplikimet, përfshirë lejet mjedisore dhe autorizimet përkatëse.

Rregullorja e rishikuar parashikon gjithashtu lehtësim të procedurave administrative për subjektet që zotërojnë licenca të lëshuara nga autoritete rregullatore të vendeve të Bashkimit Evropian apo të Komunitetit të Energjisë, duke parashikuar njohjen reciproke të tyre në bazë të parimit të reciprocitetit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat