Shqipëria Postuar më 12 Dhjetor 2025, 12:48

Kush mban peshën e borxhit të jashtëm? - BSH: Qeveria udhëheq me 4.75 miliardë euro. Në vend të dytë, sektorët e tjerë

Nga Ledina Elezi

Kush mban peshën e borxhit të jashtëm? - BSH: Qeveria

Borxhi i jashtëm i Shqipërisë vazhdon të mbetet i ndarë midis katër sektorëve kryesorë të ekonomisë.

Sektori që mban peshën më të madhe është Qeveria e Përgjithshme, e cila zotëron gati gjysmën e borxhit të jashtëm, rreth 4.75 miliardë euro. Gjatë tremujorit të fundit, borxhi i shtetit u ul ndjeshëm, pasi janë shlyer më shumë detyrime sesa janë marrë financime të reja. Kjo tregon një strategji të qartë për ngadalësimin e huamarrjes dhe përballimin e detyrimeve ekzistuese, duke synuar uljen graduale të varësisë nga borxhi afatgjatë.

Pas qeverisë, vendin e dytë si peshë e zënë Sektorët e Tjerë, pra bizneset jo-financiare, kompanitë prodhuese, shoqëritë e shërbimeve dhe strukturat e tjera ekonomike. Ky grup ka ulur borxhin e tij të jashtëm gjatë tremujorit, duke shlyer kredi dhe detyrime tregtare.

Lëvizja interpretohet si një sinjal i stabilizimit të bilanceve të bizneseve, më pak varësi nga financimet e huaja dhe më shumë kujdes ndaj kostove të huamarrjes. Megjithatë, vërehet një rritje e lehtë e huave ndërkompani, që tregon se investitorët e huaj vazhdojnë të injektojnë kapital brenda grupit të tyre të kompanive në Shqipëri.

Sistemi bankar është sektori i tretë për nga pesha me 21.8%. Bankat kanë rritur disi detyrimet e tyre të jashtme, kryesisht përmes rritjes së depozitave dhe monedhës së mbajtur nga jorezidentët. Kjo tregon një interes më të lartë të subjekteve të huaja për të mbajtur fonde në Shqipëri, por edhe një dinamikë më fleksibël të bilancit të bankave. Nga ana tjetër, ulja e huamarrjes afatshkurtër ndërbankare sugjeron se stabiliteti i likuiditetit në tregun vendas mbetet i qëndrueshëm.

Ndërsa Autoriteti Monetar, pra Banka e Shqipërisë, ka një rol shumë më të vogël në borxhin e jashtëm, me detyrime që lidhen vetëm me SDR-të e FMN-së dhe që mbeten pa ndryshime. Kjo e bën këtë sektor më të qëndrueshëm dhe më pak i ndikuar nga luhatjet e tregjeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat