Shqipëria Postuar më 4 Prill 2026, 10:42

Kërkimi shkencor, me tre nivele financimi - Institucionet e reja, jo kriter performance për 3 vitet e para

Nga Fabjona Pasho

Kërkimi shkencor, me tre nivele financimi - Institucionet e reja, jo kriter

Qeveria ka miratuar modelin e ri të financimit për shkencën dhe kërkimin shkencor, duke synuar rritjen e eficiencës dhe transparencës në shpërndarjen e fondeve publike. Bëhet fjalë  për një strukturë të re financimi, që mbështetet në performancën dhe konkurrueshmërinë e institucioneve kërkimore.

Modeli i ri bazohet në tre shtylla kryesore: financimi bazë institucional, financimi i orientuar nga performanca dhe financimi për projekte kërkimore konkurruese.

Kjo synon të garantojë funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve, por edhe të nxisë cilësinë dhe rezultatet konkrete në kërkimin shkencor.

Fondet bazë dhe ato të lidhura me performancën do të mbulohen nga buxheti i shtetit përmes ministrive dhe institucioneve qendrore, ndërsa financimi për projekte do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Financimi i lidhur me performancën nuk do të aplikohet menjëherë për institucionet e reja kërkimore. Për tre vitet e para, ato do të përfitojnë vetëm financim bazë dhe mbështetje për projekte konkurruese, ndërsa skema e performancës hyn në fuqi nga viti i katërt.

Vendimi parashikon gjithashtu që fondet për projekte kërkimore të shpërndahen përmes thirrjeve të hapura dhe procedurave konkurruese, duke synuar përfshirjen më të gjerë të kërkuesve dhe rritjen e standardeve në këtë sektor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat