Shqipëria Postuar më 25 Gusht 2026, 10:17

Hapet konsultimi publik për aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për Lobimin

Nga SCAN TV

Hapet konsultimi publik për aktet nënligjore për zbatimin e

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka hapur procesin e konsultimit publik për paketën e projektakteve nënligjore që synojnë zbatimin e Ligjit nr. 12/2026 “Për Lobimin në Republikën e Shqipërisë”.

Projektaktet janë hartuar nga Zyra e Komisionerit me mbështetjen e ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe kanë për qëllim krijimin e kuadrit të nevojshëm për zbatimin efektiv të ligjit.

Paketa përfshin projektakte që përcaktojnë procedurat për regjistrimin në Regjistrin e Lobimit, administrimin dhe publikimin e tij, raportimin e veprimtarisë së lobimit, verifikimin e të dhënave dhe administrimin e dokumentacionit.

Gjithashtu, projektaktet parashikojnë rregulla për konfliktin e interesit, Kodin e Sjelljes për Lobistët, si dhe aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese në fushën e lobimit.

Në kuadër të parimeve të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, projektaktet janë publikuar në faqen zyrtare të Zyrës së Komisionerit, në seksionin “Njoftimi dhe Konsultimi Publik”.

Procesi i konsultimit do të jetë i hapur deri më 4 shtator 2026. Institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, mediat, komuniteti i biznesit, ekspertët dhe çdo palë tjetër e interesuar mund të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre pranë Zyrës së Komisionerit.

Kontributet e dërguara gjatë periudhës së konsultimit do të shqyrtohen dhe, sipas rastit, do të reflektohen në versionin përfundimtar të akteve nënligjore, përpara miratimit të tyre.

Zyra e Komisionerit ka vlerësuar mbështetjen e Këshillit të Evropës në procesin e hartimit të projektakteve dhe ka ftuar të gjitha palët e interesuara të kontribuojnë në konsultimin publik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat