Shqipëria Postuar më 9 Shtator 2025, 11:12

Emigrantët shqiptarë “braktisin” Italinë dhe Greqinë/ Shkak, sfidat ekonomike të këtyre vendeve. Gjermania dhe Evropa Veriore, “magneti” i ri

Nga Ledina Elezi

Emigrantët shqiptarë “braktisin” Italinë dhe

Rreth 79% e emigrantëve shqiptarë jetojnë në Itali, Greqi dhe SHBA. Sipas të dhënave të raportuara nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Shqipërisë, numri më i madh i shqiptarëve të regjistruar jashtë vendit gjendet në Itali, konkretisht mbi 389 mijë.

Në vend të dytë renditet Greqia me mbi 264 mijë emigrantë shqiptarë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 224 mijë. E thënë ndryshe, rreth 35% e shqiptarëve të regjistruar jashtë vendit ndodhen në Itali, 24% në Greqi dhe 20% në SHBA. Shumica e shqiptarëve jetojnë në Athinë, Selanik, Romë dhe Milano.

Megjithatë, edhe vendet e Evropës Perëndimore nuk mbeten shumë mbrapa. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar vijojnë të jenë disa nga destinacionet e preferuara të emigrimit nga shqiptarët. Konkretisht, emigrantët shqiptarë në Gjermani llogariten të jenë mbi 119 mijë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar rezultojnë të jenë vendosur rreth 100 mijë shqiptarë.

Referuar Profilit Vjetor të Migracionit për 2024, Italia dhe Greqia, që historikisht kanë qenë dy destinacionet kryesore për emigrantët shqiptarë, nuk po preferohen më nga emigrantët e rinj. Për shkak të sfidave ekonomike dhe sociale në vendet tradicionale pritëse si Italia dhe Greqia, në 2023 një pjesë e emigrantëve shqiptarë u drejtua për nga vendet e tjera të Evropës, veçanërisht Gjermanisë dhe vendeve të Evropës Veriore dhe Qendrore.

Pra pavarësisht se Italia dhe Greqia kanë numrin më të madh të emigrantëve, vitet e fundit shihet një prirje e shqiptarëve për të lëvizur në vendet e Evropës Qendrore dhe Veriore, për shkak të mundësive më të mira të punës, politikave të migracionit më të hapura dhe integrimit më të lehtë për emigrantët.

Ndër faktorët kryesorë të emigracionit të shtetasve shqiptarë mbizotërojnë ato me natyrë ekonomike, si papunësia dhe varfëria, por edhe faktorë të tjerë të lidhur me shërbimet e shëndetit, bashkimin familjar apo mundësitë profesionale.

Italia dhe Greqia kanë qenë historikisht destinacionet kryesore për shkak të afërsisë gjeografike, kostos së ulët të emigracionit, por edhe mundësive ligjore për bashkim familjar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat