Shqipëria Postuar më 4 Dhjetor 2025, 13:11

Durrësi, drejt një destinacioni bashkëkohor turistik - FSHZH, investim mbi 540 mln lekë për transformimin e vijës bregdetare

Nga Ernilda Luzi

Durrësi, drejt një destinacioni bashkëkohor turistik - FSHZH,

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur hapjen e fazës së tretë të garës për investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave multifunksionale, rrugë tregtare në zona model zhvillimi, si dhe ndërhyrje për rritjen e ofertës turistike dhe për përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit në Durrës. Fondi limit arrin vlerën 540 milionë e 893 mijë lekë.

Referuar dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, zona në të cilën do të realizohet projekti shtrihet nga Ura e Dajlanit deri te Kavalishenca. Ky projekt synon transformimin e vijës bregdetare të qytetit të Durrësit në një destinacion bashkëkohor turistik, rekreativ dhe urban, përmes ndërhyrjeve arkitekturore e urbane të planifikuara. Projekti përfshin zgjerimin e plazhit ekzistues, krijimin e një parku linear të gjelbër përgjatë vijës detare, zhvillimin e hapësirave publike multifunksionale dhe integrimin e infrastrukturës së re rekreative e sportive.

Zona ka një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike dhe sociale të qytetit dhe infrastruktura ekzistuese ofron mundësi për përmirësime, që do të rrisnin cilësinë e përvojës për banorët dhe vizitorët. Hapësirat e kalimit shtrihen në mënyrë të rregullt përgjatë vijës bregdetare, por në disa segmente këto lidhje janë të ndërprera ose jo të mjaftueshme për të përballuar flukset e larta gjatë sezonit turistik, duke krijuar ngarkesa në pikat hyrëse. Andaj do të krijohen kalime të dedikuara për biçikleta dhe këmbësorë, që do të rrisin lehtësinë e lëvizjes dhe sigurinë në zonë.

Parkimet janë të shpërndara përgjatë aksit kryesor dhe në disa pika strategjike pranë hyrjeve kryesore të shëtitores. Kapaciteti aktual i parkimeve është i kufizuar në raport me kërkesën, gjë që sjell shpesh mbingarkesë në infrastrukturën rrugore. Sipas projektit, do të ndërtohen parkimet nëntokësore ose parkimet satelitore të lidhura me transport publik, që do të ndihmojnë në menaxhimin më efikas të trafikut në këtë zonë me rëndësi strategjike turistike.

Ndërkohë, në plazhin publik janë konstatuar ndërhyrje jo të standardizuara dhe mungesë e qartësisë midis zonave publike e private. Me anë të këtij projekti, synohet standardizimi i pajisjeve urbane dhe sinjalistikës së ndriçimit. Këto ndërhyrje do të krijojnë një ambient më estetik dhe më të aksesueshëm për të gjithë.

Për të plotësuar kërkesat e komunitetit dhe vizitorëve, investimi përfshin një gamë të gjerë hapësirash rekreative dhe shërbimesh publike, si: kinema në natyrë; hapësira për evente kulturore, aktivitete publike dhe festivale; rrjet restorantesh, bare plazhi dhe hapësira gastronomike; qendra sportive, fusha lojërash, palestra në natyrë dhe aktivitete për fëmijë, me fokus relaksin, mirëqenie dhe qetësi.

Ndër të tjera, do të ndërtohen: pavijone të përshtatura për shërbime, rekreacion dhe informacion; stola terrazzo si struktura sociale, ku janë projektuar si elemente uljeje funksionale dhe dekorative përgjatë parkut. Gjithashtu do të ndërtohen, parkim për biçikleta për të nxitur mobilitetin e qëndrueshëm; kulla vrojtimi përgjatë gjithë gjatësisë së plazhit; platformë për qendër turistike; platforma për shërbime komerciale; zona panoramike për pushim dhe relaks, thuhet në dokument.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat