Shqipëria Postuar më 17 Mars 2026, 15:56

“Digjitalizimi i infrastrukturës financiare kërkon edukim” - Sejko në çeljen e Javës Botërore të Parasë: Teknologjia po ndryshon menaxhimin e parasë

Nga Ledina Elezi

“Digjitalizimi i infrastrukturës financiare kërkon edukim”

Banka e Shqipërisë ka çelur Javën Botërore të Parasë me sloganin “Flasim zgjuar për paranë – 100 vjet monedhë kombëtare”, e cila synon të rrisë njohuritë financiare te fëmijët dhe të rinjtë. I pranishën në ceremoni ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili u shpreh se në kushtet kur infrastruktura financiare po digjitalizohet gjithnjë e më tepër, edukimi financiar bëhet gjithashtu gjithnjë e më i rëndësishëm.

“Sistemi monetar dhe financiar shqiptar ka kaluar nëpër shumë transformime. Nga një ekonomi ku dominonte përdorimi i parasë fizike, kemi kaluar gradualisht drejt një infrastrukture financiare gjithnjë e më të avancuar, ku pagesat elektronike dhe shërbimet digjitale po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Sot, në një kohë kur teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si menaxhojmë paranë, edukimi financiar bëhet një element gjithnjë e më i rëndësishëm. Në këtë kuadër, aktivitetet e Javës Globale të Parasë 2026 synojnë të krijojnë hapësira për të mësuar, për të diskutuar dhe për të reflektuar mbi këto tema”, u shpreh Guvernatori Sejko.

Ndërkohë, Sekretari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, tha se përmes Javës Botërore të Parasë nuk synohet vetëm ndërgjegjësimi dhe edukimi mbi njohuritë financiare, por edhe mbrojtja e siguria financiare.

“Në këtë kuadër të Javës së Parasë, ndërsa ne flasim për kursimet, flasim për vlerat e investimeve, të njohim të ardhurat dhe shpenzimet, sot nuk mjafton vetëm kaq. Sot, kur teknologjia i jep aq shumë mundësi ekonomisë të përmirësohet, të ndryshojë, të zhvillohet dhe kur sektori bankar gati është në një model krejt të ri, pagesat janë vetëm një klik larg, aplikacionet e shumta financiare vijnë në ndihmë që nga hapja e llogarisë, nënshkrimi elektronik dhe plot risi të tjera, sigurisht që të gjitha këto njohuri shoqërohen edhe me një kërkesë tjetër shumë domethënëse, mbrojtjen, sigurinë, luftën kundër mashtruesve dhe krimit kibernetik”, tha Brumbulli.

Java e Parasë do të shoqërohet me një sërë leksionesh të hapura, konkurse, aktivitete edukative dhe takime ndërvepruese, ku nxënësit dhe studentët do të kenë mundësi të njihen më mirë me botën e financave dhe me rëndësinë e vendimmarrjes së kujdesshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat