Shqipëria Postuar më 17 Mars 2026, 11:04

Shqipëria historike “magnet” për turistët - Ministri Gonxhja: Mbi 42 mijë vizitorë eksplorojnë sitet historike

Nga Ernilda Luzi

Shqipëria historike “magnet” për turistët - Ministri

Trashëgimia jonë kulturore dhe historike vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja bën të ditur se gjatë dy muajve të parë të vitit, 42.251 vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur të eksplorojnë nga afër pasuritë tona kulturore, duke dëshmuar një rritje të ndjeshme të interesit për historinë dhe identitetin kombëtar.

Nga ana tjetër, muzetë Kombëtarë kanë mirëpritur 21.134 vizitorë, të cilët kanë pasur mundësinë të njihen me figura dhe ngjarje kyçe të historisë shqiptare. Ndërkohë, Parqet Arkeologjike kanë tërhequr 14.394 vizitorë. Një tjetër atraksion i rëndësishëm janë kalatë dhe monumentet e kulturës, të cilat janë vizituar nga 6.723 persona, duke ofruar një përvojë autentike të trashëgimisë sonë arkitekturore dhe historike.

Sipas shifrave të publikuara nga ministri Gonxhja, në krye të listës së destinacioneve më të vizituara renditet Parku Arkeologjik i Shkodrës, me 8.587 turistë i ndjekur nga Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me 8.176 vizitorë, një simbol i rëndësishëm i historisë dhe krenarisë kombëtare. Në vendin e tretë pozicionohet Kalaja e Gjirokastrës, e cila ka tërhequr 5.513 turistë, duke vijuar të mbetet një nga atraksionet më ikonike të trashëgimisë shqiptare.

Këto shifra konfirmojnë interesin në rritje për turizmin kulturor, por edhe potencialin e madh që ka Shqipëria për të zhvilluar më tej këtë sektor, duke promovuar vlerat historike dhe kulturore në arenën ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat