Shqipëria Postuar më 17 Mars 2026, 10:44

Arkat e bankave, me më pak fluks qytetarësh - Preferohen aplikacionet bankare dhe bankomatet për transaksionet e përditshme

Nga Ledina Elezi

Arkat e bankave, me më pak fluks qytetarësh - Preferohen aplikacionet

Ju ka bërë ndonjëherë përshtypje se sa radhë të gjatë ka në bankë për të kryer veprime në arkë? Shumica e njerëzve kërkojnë të marrin shërbime në atë njësi, sesa në njësitë e tjera të bankave tregtare, siç mund të jenë sporteli i kredisë, hapja e llogarive bankare, e aplikacioneve apo të tjera. Pra, arka ka volumin më të madh të veprimeve.

 2025 e ka ndryshuar këtë “trend”. Gjatë vitit të kaluar, qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë kryer më pak transaksone në arkat e bankës sesa në 2024. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, veprimet e realizuara përmes arkës kanë zbritur në 7.1 milionë, rreth 4.7% më pak se në vitin paraardhës.

Edhe vlera e transaksioneve ka pësuar të njëjtën gjë. Statistikat zyrtare flasin për një rënie me 2.8% të parave që kanë lëvizur përmes arkës, nga 2.6 trilionë në 2.5 trilionë lekë.

Si depozitimet, ashtu edhe tërheqjet cash në sportelin fizik të bankës janë zvogëluar, por tërheqjet rezultojnë të kenë ndikuar më shumë.

Fillimisht, ulja e depozitimeve cash në arkë vjen për një sërë faktorësh. Pavarësisht se nuk jemi akoma në nivelet e duhura, sërish përdorimi i bankingut në shtëpi po rritet dita ditës. Më shumë individë dhe biznese po realizojnë veprime bankare nëpërmjet telefonit nga aplikacioni apo faqja online e bankës, duke shmangur kështu radhët e pritjes në arkën e bankës dhe kursyer kohë për angazhime të tjera të tyre.

Nga ana tjetër, shtimi i më shumë bankomateve të cilat ofrojnë edhe mundësinë e depozitimit të parave, jo vetëm të tërheqjes, ka ndikuar në të dy këto tregues. Shumë qytetarë, nuk kanë arsye pse të futen në bankë për të depozituar para në llogarinë e tyre kur këtë mund të bëjnë lehtësisht për pak sekonda, kudo dhe kurdo nga bankomati. Këtu përjashtohen rastet kur individi duhet të tërheqë ose të depozitojë para në vlera shumë më të mëdha sesa lejon bankomati.

Koka e lajmit: Transaksionet e kryera në arkët e bankave kanë shënuar rënie gjatë vitit të fundit, duke treguar një ndryshim gradual në mënyrën se si qytetarët dhe bizneset kryejnë veprime bankare. Kjo lidhet kryesisht me rritjen e përdorimit të shërbimeve bankare online dhe të bankomateve që ofrojnë edhe depozitimin e parave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat