Shqipëria Postuar më 17 Mars 2026, 11:05

Nga interkonjeksioni me Kosovën, te HEC Moglicë - Komuniteti i Energjisë nis hartimin e listës për investimet energjetike me ndikim rajonal

Nga Ola Mitre

Nga interkonjeksioni me Kosovën, te HEC Moglicë - Komuniteti i

Komuniteti i Energjisë ka hapur konsultimin publik për listën e re të projekteve të interesit të përbashkët për vitin 2026, një proces që synon të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe integrimin e tregut rajonal. Projektet në shqyrtim janë përzgjedhur për potencialin e tyre në përmirësimin e ndërlidhjes ndërkufitare dhe në adresimin e pengesave infrastrukturore, në kushtet e rritjes së kërkesës për energji të rinovueshme.

Tre prej projekteve të përfshira në konsultim publik përfshijnë Shqipërinë, teksa lista përfundimtare pritet të miratohet në dhjetor të këtij viti.

Mes projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë për vendin tonë, spikat rehabilitimi i linjës ekzistuese 220 kV që lidh Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë në segmentin Trebinje – Peručica – Podgoricë – Vau i Dejës. Ky investim synon të rrisë kapacitetin e transmetimit përmes zëvendësimit të pajisjeve të amortizuara, duke ulur ngarkesat në rrjet, përmirësuar shkëmbimet ndërkufitare të energjisë dhe rritur sigurinë e furnizimit në rajon.

Një tjetër projekt me rëndësi është zhvillimi i hidrocentralit me pompim në Moglicë. Projekti parashikon ndërtimin e një rezervuari të sipërm mbi rezervuarin ekzistues të Devollit, duke krijuar një kapacitet të instaluar deri në 1,620 MW dhe rreth 30 GWh kapacitet magazinimi. Ky investim konsiderohet kyç për fleksibilitetin e sistemit energjetik, pasi ndihmon në balancimin e prodhimit nga burimet e rinovueshme dhe rrit sigurinë energjetike në Shqipëri dhe rajon.

Po ashtu, në listë përfshihet edhe rikonfigurimi i rrjetit 400 kV në Shqipëri dhe ndërtimi i një interkoneksioni të ri me Kosovën. Projekti synon zgjerimin e rrjetit të transmetimit përmes nënstacioneve të reja dhe përmirësimit të infrastrukturës ekzistuese, duke reduktuar mbingarkesat në linjat aktuale dhe mundësuar integrimin e mbi 1 GW kapacitetesh të reja të energjisë së erës në verilindje të vendit.

Projektet e përzgjedhura nën kornizën e Projekteve të Interesit të Komunitetit të Energjisë përfitojnë nga besueshmëri e shtuar, procedura më të shpejta të lejeve dhe akses të përmirësuar në mbështetje financiare nga BE-ja.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat