Shqipëria Postuar më 26 Maj 2026, 11:05

350 milionë lekë për “Rrugën e Bregdetit”/ Bashkia Kavajë hap garën, projekti synon lehtësimin e trafikut

Nga Ernilda Luzi

350 milionë lekë për “Rrugën e Bregdetit”/

Bashkia e Kavajës ka shpallur hapjen e garës për rivitalizimin e projektit “Rruga e Bregdetit”, faza e parë, me një fond limit prej rreth 350 milionë lekësh. Projekti synon rikonstruksionin e një prej akseve kryesore hyrëse të qytetit, që lidh zonën veriore të Kavajës me autostradën Durrës–Rrogozhinë dhe më tej me qytetet e Durrësit, Tiranës dhe veriut të vendit.

Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, segmenti rrugor nis nga rrethrrotullimi në kryqëzimin me autostradën Durrës–Rrogozhinë dhe përfundon në kryqëzimin me rrugën “Taulantia” dhe shëtitoren “Josif Budo”. Gjatësia totale e rrugës është 1 kilometër e 377 metra.

Referuar dokumentit, gjendja e rrugës paraqitet me dëmtime në shtresat asfaltike dhe është konstatuar një bazament i dobët dhe shtresa jo uniforme të rrugës ekzistuese.

Në projektin e ri është parashikuar rindërtimi i plotë i aksit rrugor, duke ruajtur gjurmën ekzistuese të rrugës. Projekti synon jo vetëm përmirësimin e qarkullimit të automjeteve, por edhe transformimin urban të kësaj zone, duke krijuar standarde më të larta sigurie dhe aksesueshmërie për qytetarët.

Sipas planit teknik, trafikndarësi aktual do të eliminohet dhe rruga do të funksionojë me një karrexhatë të vetme, e organizuar me tre korsi. Njëra korsi do të përdoret për hyrjen në qytet, ndërsa dy korsitë e tjera për daljen nga Kavaja.

Në anën perëndimore të rrugës do të ndërtohet një korsi biçikletash. Gjithashtuy, projekti përfshin edhe ndërtimin e trotuareve të reja, vendosjen e bordurave dekorative, parmakëve metalikë dhe rikonstruksionin e mureve rrethuese përgjatë segmentit.

Në dokument theksohet se ndërhyrja do të realizohet duke respektuar kuotat ekzistuese të ndërtesave dhe hyrjeve të banesave, për të shmangur problematikat urbane. Gjithashtu, nuk janë parashikuar prishje objektesh.

Një aspekt tjetër i projektit është ndërtimi i ndriçimit  rrugor, i cili do të vendoset në të dy anët e aksit. Ndërkohë, do të realizohet edhe sinjalistika horizontale dhe vertikale, në përputhje me standardet dhe Kodin Rrugor në fuqi.

Me këtë investim, Bashkia e Kavajës synon jo vetëm rehabilitimin e një segmenti të rëndësishëm rrugor, por edhe transformimin urban të një prej hyrjeve kryesore të qytetit që do t’u shërbejë qytetarëve.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat