Shqipëria Postuar më 26 Maj 2026, 11:02

Ndryshojnë rregullat për anijet e peshkimit - Drafti/ Detyrim instalimi i sistemeve të monitorimit, forcohen masat dhe kontrollet

Nga Elisabeta Dosku

Ndryshojnë rregullat për anijet e peshkimit - Drafti/ Detyrim

Sektori i peshkimit në Shqipëri do të fuqizohet më tej, në linjë me kërkesat dhe standardet për tregun e Bashkimit Evropian. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka iniciuar disa ndryshime në ligjin për peshkimin, të cilat janë publikuar për konsultim publik.

Projektligji synon forcimin e sistemit kombëtar të kontrollit të peshkimit, përmirësimin e gjurmueshmërisë së produkteve të peshkimit, digjitalizimin e proceseve të raportimit dhe monitorimit, si dhe krijimin e bazës ligjore për përdorimin e sistemeve moderne të monitorimit elektronik në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara synohet gjithashtu forcimi i kapaciteteve institucionale të monitorimit të flotës së peshkimit dhe rritja e eficiencës së mekanizmave për luftën kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar (PPP).

Ndryshimet ligjore parashikojnë krijimin për herë të parë të bazës ligjore për regjistrimin dhe monitorimin e aktiviteteve të peshkimit të ushtruara pa mjete lundruese.  Duke synuar formalizmin e këtij segmenti të aktivitetit të peshkimit dhe krijimi i mekanizmave për regjistrimin dhe transmetimin elektronik të të dhënave mbi zëniet.

Risi është detyrimi për mbajtjen e librit elektronik të peshkimit nga kapitenët e anijeve peshkuese, si dhe përcaktimi i niveleve të tolerancës për sasitë e regjistruara të zënieve. Ky ndryshim synon përmirësimin e gjurmueshmërisë dhe saktësisë së raportimit të aktivitetit të peshkimit.

Me ndryshimet e reja ligjore, do të jetë i detyrueshëm instalimi i pajisjeve të monitorimit në bord të anijeve të peshkimit, transmetimin automatik të të dhënave mbi pozicionin e anijeve, përdorimin e sistemeve AIS dhe përjashtimet për kategori të caktuara të flotës së vogël të peshkimit.

Drafti parashikon  afate për instalimin e sistemit të monitorimi të anijeve të peshkimit, ku përcaktohet se duhet të instalohen  brenda 31 dhjetorit 2027 në anijet me gjatësi të përgjithshme të barabartë dhe më të madhe se 9 metra deri në gjatësinë 11.99 metra dhe brenda 1 janarit 2030 për anijet me gjatësi të përgjithshme nën 9 metra.

Sistemi i monitorimit elektronik në distancë (REM) instalohet në bordin e anijeve të peshkimit me gjatësi të barabarte dhe më të  madhe se 18 metra brenda 1 janarit 2030.

Ndërsa parashikohen gjoba për mosinstalimin, apo dëmtimin e tyre nga 200 mijë deri në 500 mijë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat