Shqipëria Postuar më 26 Maj 2026, 10:40

Reforma në kulturë, publikohet Strategjia Kombëtare/ Modeli i ri financiar, synohet dyfishimi i buxhetit në 0.8% të PBB-së

Nga Diamila Leka

Reforma në kulturë, publikohet Strategjia Kombëtare/ Modeli i ri

Është nxjerrë për konsultim publik, projektvendimi për “Strategjinë Kombëtare për Kulturën 2026-2030”, që parashikon injektimin e 10 miliardë lekëve për këtë sektor. Sipas relacionit, vendi ynë alokon vetëm 0.3 deri në 0.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për kulturën, një shifër kjo që na rendit në fund të Evropës, ku mesatarja e Bashkimit Evropian luhet në rreth 1.2%.

Pikërisht për të përmbysur këto dobësi strukturore, ky projektligj i ri, i hartuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit me mbështetjen e Agjencisë Italiane të Zhvillimit, sjell një paketë reformash rregullatore. Ndër to spikasin rishikimi i plotë i Ligjit për Artin dhe Kulturën, modernizimi i normave për mbrojtjen e trashëgimisë dhe, për herë të parë, sanksionimi i "Statusit të Artistit". Nga pikëpamja e shifrave, modeli financiar i strategjisë kap një vlerë mesatare prej 10 miliardë lekësh në vit. Buxheti i Shtetit do të mbulojë pjesën më të madhe, ku 40% përmes racionalizimit të fondeve ekzistuese dhe 30% nga alokime të reja publike, të cilat do të sjellin një rritje vjetore prej 3 miliardë lekësh në fazën fillestare. Pjesa tjetër prej 30% do të garantohet nga donatorët ndërkombëtarë si BE-ja, IPA III dhe Banka Botërore, si dhe nga kontributet e diasporës dhe investimet private.

Përmes këtij plani, Shqipëria angazhohet të arrijë në 0.8% të PBB-së brenda pesë viteve, duke u përafruar me shtete si Rumania, Bullgaria apo Italia. Strategjia funksionon mbi tri shtylla, modernizimi i muzeve dhe qendrave kulturore për të rritur cilësinë e jetës, ndërkombëtarizimi dhe eksporti i krijimtarisë shqiptare, si dhe digjitalizimi i arkivave përmes ngritjes së një Njësie të posaçme të Koordinimit të Politikave Kulturore. Ky projektligj tashmë pret mendimet e grupeve të interesit në fazën e konsultimit, ndërsa pas miratimit, progresi do të monitorohet me një rishikim formal në vitin 2028 dhe raportim të përvitshëm në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvend.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat