Europa Postuar më 10 Korrik 2025, 11:06

Përhapet tregtia e pesticideve të paligjshme në Greqi - Fermerët gjejnë metoda “alternative” për të ulur kostot bujqësore

Nga Kristi Ceta

Përhapet tregtia e pesticideve të paligjshme në Greqi -

Tregtia e pesticideve të paligjshme në Greqi po rritet ndjeshëm, ndërsa fermerët kërkojnë alternativa më të lira për të përballuar çmimet e larta. Kjo situatë kërcënon mjedisin dhe shëndetin e banorëve.

Ndërsa kostoja e spërkatjes së të korrave me pesticide bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, fermerët e Greqisë po drejtohen tek alternativa më të lira. Bëhet fjalë për lëngje në shishe plastike, pa etiketë, të kontrabanduara në tokë dhe det.

Produktet janë më efektive, thanë një grup fermerësh në fushën e Thesalisë. Por ato janë gjithashtu potencialisht më të dëmshme. Testet laboratorike tregojnë se shishet përmbajnë pesticide të ndaluara në Bashkimin Evropian, për shkak të rreziqeve që përbëjnë për njerëzit dhe mjedisin.

Fermerët grekë janë të prekshëm ndaj tregtisë ilegale të pesticideve, pasi ndikimet e zgjatura të krizës financiare 2010-18 dhe ndryshimet klimatike kanë tharë tokën e kanë shtuar insektet dëmtuese.

Pesticidet mund të arrijnë deri në 50% të kostove vjetore, thanë disa fermerë. Një litër i një insekticidi të njohur grek kushton deri në 380 euro. Ndërsa një falsifikim mund të gjendet në tregun e zi për 200-230 euro, shtuan ata.

Çmimet e larta kërcënojnë jetesën në Thesali, që është një burim kryesor ushqimi në Greqinë qendrore, pasi prodhon mollë, bajame, drithëra dhe pambuk. Pemishtet në rajon janë braktisur ndërsa fermerët kërkojnë punë diku tjetër. Disa prej tyre thonë se e vetmja zgjidhje për të mbijetuar është shkelja e ligjit, duke blerë pesticidet e paligjshme. Produktet kontrabandohen në Greqi me rrugë tokësore nga Bullgaria ose transportohen me mjete lundruese që përdoren për të sjellë emigrantët.

Mbi 12 lloje pesticidesh të ndaluara u zbuluan vetëm në Greqi në vitin 2024. Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreziku për konsumatorët është minimal, fermerët që përdorin kimikate të paligjshme mund të përballen me pasoja më të mëdha. Të paktën 14% e pesticideve të përdorura në fushat e BE-së sot janë të paligjshme, nga rreth 10% në vitin 2015, tregojnë të dhënat e bllokut. Në disa zona të Greqisë, ky numër arrin në 25%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat