Bota Postuar më 9 Gusht 2025, 10:43

Rusia “pasurohet” me drithërat ukrainase - Përdor territoret e pushtuara për të rritur eksportet

Nga Kristi Ceta

Rusia “pasurohet” me drithërat ukrainase - Përdor

Rajoni i Luhanskut, i pretenduar nga Rusia si pjesë e saj që nga viti 2022, synon të dyfishojë prodhimin e grurit këtë vit dhe të eksportojë një pjesë të tij

Luhansku, një nga katër rajonet e Ukrainës që Rusia i ka pretenduar si të vetat që nga fillimi i luftës në vitin 2022, pret të dyfishojë të korrat e grurit këtë vit dhe të dërgojë disa për eksport, thonë zyrtarët vendas.

Zgjerimi i shpejtë i prodhimit pasqyron rolin në rritje të rajoneve në sektorin bujqësor të Rusisë dhe tregon se si eksportuesi më i madh i grurit në botë po i përfshin ato në strategjinë e vet.

Vitin e kaluar, rajonet e Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, të deklaruara nga Rusia si "territoret e saj të reja", por ende të njohura ndërkombëtarisht si ukrainase, furnizuan rreth 3% të të korrave të drithërave të vendit, tha Ministria e Bujqësisë. Pa këto, rënia prej 14% për shkak të motit të keq në Rusinë jugore, do të kishte qenë më e madhe.

"Këtë vit ne planifikojmë të korrim rreth një milion ton drithëra, kryesisht grurë," tha Leonid Pasechnik, kreu i administratës në Luhansk. "Ne planifikuam të bënim të njëjtën gjë vitin e kaluar, por me kushtet shumë të këqija të motit, ngricat e pranverës dhe thatësirën, mblodhëm vetëm gjysmë milioni," shtoi ai.

Me çmimet aktuale të tregut në Rusi për muajin gusht, të korrat prej 1 milion ton të këtij viti do të kushtonin rreth 230 milionë dollarë. Përpara se separatistët pro-rusë të merrnin kontrollin e pjesshëm të Luhanskut, rajoni kishte prodhuar 1.3 milion ton drithëra, kryesisht grurë, në vitin 2013.

Ukraina i konsideron të gjitha drithërat e prodhuara në katër rajonet dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si të vjedhura nga Moska, dhe planifikon t'u kërkojë aleatëve perëndimorë të sanksionojnë importuesit e tyre. Kievi thotë se shërbimet e veta të inteligjencës kanë zbuluar se gruri ukrainas është i përzier me atë rus në portet e Detit të Zi dhe është dërguar për eksport.

Ukraina gjithashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian të vendoste sanksione ndaj Bangladeshit për blerjet e grurit që sipas saj vinte nga rajonet e kontrolluara prej Rusisë, por BE nuk mori masa ndëshkuese. Tregtarët thonë se është e pamundur të gjurmohet origjina e grurit pasi të jetë përzier.

Zyrtarët rusë nuk kanë komentuar mbi statusin ligjor të drithërave të mbledhura në "territoret e reja". Agjencia zyrtare e statistikave të Kremlinit nuk i përfshin të korrat e rajoneve në raporte, ndryshe nga Ministria e Bujqësisë, duke krijuar mospërputhje në lidhje me statusin e tyre.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat